Arrestohet një zyrtarë në Skenderaj për keqpërdorim të detyrës

22.01.2019 18:09:18

Policia ka arrestuar një person, zyrtarë në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar’.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, me datën 14 dhjetor 2018 ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë për të zhvilluar hetime, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar’ nga neni 422 i KPRK-së dhe ‘legalizim i përmbajtjes së pavërtetë’ nga neni 403 i KPRK-së”.

Siç thuhet në njoftim, lidhur me këtë rast, me datën 22 janar 2019, njësitet policore kanë bërë arrestimin e një personi të dyshuar, për kryerjen e veprave të lartcekura.

Personi i arrestuar lidhur me këtë rast është: K. B. lindur me 1962 m/sh/k

“I dyshuari punonte si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive në mes të nënshtetasve të RKS-së dhe atyre të BE-së, me ç’rast edhe ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore. Këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje”, thuhet me tej në njoftim.

Me vendim të prokurorit në PTH – Prishtinë të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.