Arrestohet princi miliarder i Arabisë Saudite, që ishte edhe në Shqipëri

05.11.2017 11:03:04

Autoritetet e Arabisë Saudite kanë ndaluar 11 princër, katër ministra dhe dhjetra ish-ministra. Arrestimet janë kryer nga një komitet i ri anti-korrupsion i krijuar së fundmi në Arabinë Saudite, që kryesohet nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman.

BBC raporton se këto arrestime janë në rrjedhën e reformëve që po ndërmerr princi Mohammed për të konsoliduar fuqinë e tij në rritje. Zyrtarisht nuk është dhënë asnjë arsye për arrestimet.

Gjithashtu, krerët e Gardës Kombëtare Saudite dhe të Marinës janë shkarkuar dhe janë zëvendësuar. Mbreti Salman shkarkoi ministrin e Gardës Kombëtare, princin Miteb bin Abdullah dhe komandantin e Marinës, admiralin Abdullah bin Sulltan bin Mohammed Al-Sultan.

Asnjë shpjegim zyrtar për shkarkimin e tyre nuk është dhënë. Princi Mohammed, që është ministër i Mbrojtjes, ka kontrollin e të gjitha forcave të sigurisë në vend. Komiteti anti-korrupsion i sapokrijuar dhe që është nën drejtimin e tij, ka fuqinë të lëshojë urdhër-arreste dhe të ndalojë udhëtimet për qytetarët.

Në mesin e princërve të arrestuar është edhe princi Alwaleed bin Talal, një miliarder i njohur në të gjithë botën dhe që gjatë sezonit veror mbërriti edhe në Durrës me jahtin e tij luksoz.

Princi Alwaleed është një nga njerëzit më të pasur të Lindjes së Mesme, me investime në Twitter, Apple, News Corp. dhe kompani të tjera të fuqishme. Ai zotëron gjithashtu pjesën më të madhe të stacioneve televizive arabe.