Arsenali dhe Totenhemi e nisin vitin me goleadë

02.01.2019 12:47:23

Humbja 3-1 e pësuar në shtëpi kundër Wolves në takimin e fundit të luajtur në kampionat për 2018-ën duket se ka qenë vetëm një aksident për Tottenham, që kishte marrë 6 fitore dhe 1 barazim para sfidës me “Ujqërit”. “Spurs”, në fakt, janë kthyer te fitorja mbrëmjen e sotme pasi kanë mundur 3-0 Cardiff në transfertë.

Në minutën e 12-të ka ardhur goli i dytë i miqve i shënuar nga Eriksen, me danezin që ka shënuar golin e tij të 19 nga jashtë zone në Premier; më shumë se çdo lojtarë tjetër që nga debutimi i tij në kampionatin anglez (shtator 2013).

Takimi është mbyllur në minutën e 26-të të pjesës së parë me golin e shënuar nga Son, që ka qenë i përfshirë në realizimin e 11 golave në tetë ndeshjet e fundit që ka luajtur si titullar në kampionatin anglez: 8 gola dhe 3 asiste.

Kjo fitore e ka ndihmuar ekipin e Mauricio Pochettino të parakalojë Manchester City-n në renditje dhe të ngjitet në vendin e dytë, por “Qytetarët” do të luajnë të enjten në shtëpi kundër Liverpool.

Cardiff-i, nga ana tjetër, e ka nisur 2019-ën me humbje pasi e kishte mbyllur 2018-ën me një barazim dhe një fitore. Ata mbeten në vendin e 16-të me 18 pikë.

Arsenal, pas humbjes poshtëruese 5-1 të pësuar në takimin e fundit të 2018-ës të luajtur kundër Liverpool-it, e ka nisur 2019-ën me një fitore në Premier League.

Skuadra e Unai Emmery ka mundur 4-1 në shtëpi skuadrën e Fulham falë golave të zviceranit me origjinë shqiptare, Granit Xhaka (25’), Alexandre Lacazette (55’), Ramsey (79’) dhe Aubameyang (83’), i cili kryeson renditjen e golashënuesve të kampionatit anglez me 14 gola. Për miqtë ka realizuar Kamara.

Ai i uellsianit ka qenë goli i dhjetë i shënuar nga një zëvendësues i Arsenal-it në këtë sezon të Premier League, më shumë se çdo skuadër tjetër.

Ndërkohë, për Xhaka-n janë bërë 3 gola në 20 ndeshjet e këtij kampionati, po aq sa kishte shënuar në 2 sezonet e mëparshme të marra bashkë (3 në 70 ndeshje).

Pas kësaj fitoreje, “Topçinjtë” kanë shkuar në 41 pikë, dy më pak se Chelsea i vendit të katërt, që ka një ndeshje më pak. Fulham mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë.