Arsenali “zgjohet” në fund, Aubameyang fundos Stoke-n

01.04.2018 19:00:57

Arsenal ka treguar një paraqitje të mirë në Emirates, sidomos në pjesën e dytë, duke mposhtur vendin e parafundit  Stoke City me rezultatin 3-0 falë dopietës së Aubameyang dhe Lacazette në pjesën e dytë. Ndeshja ishte e fortë dhe mundësia e parë për gol vjen në minutën e 23’ kur Aaron Ramsey trondit shtyllën nga brenda zonës.

Përveç atij rasti, ndeshja nuk është edhe aq argëtuese pasi Stoke mbrohet mirë duke mos lejuar Arsenal të gjejë hapësira. Por edhe Topçinjtë kanë raste që janë tepër të ngadaltë në aksionet e tyre dhe bie në sy mungesa e Mkhitaryan.

Pas pushimit Arsenal bëhet më agresiv dhe arrin të krijojë më shumë raste shënimi. Elneny kishte një mundësi të mirë, po ashtu edhe Aubameyang dhe Chambers nga shumë pranë portës. Duhej që Mesut Ozil të fitonte një penallti në minutën e 74’ që më në fund të zhbllokohej rezultati.

Ai që mori përsipër penalltinë ishte Aubameyang. Arsenal ishte më i qetë pas golit dhe Auba dyfishon rezultatin me dopietën e parë të tijën me Topçinjtë në minutën e 86’. Pak minuta më pas Lacazette fiton një tjetër penallti dhe ekzekuton vetë.