Art mbi gërmadha. Nusepashke në kullat e braktisura të minierës në Prrenjas

27.08.2018 21:56:41

Hyrja e Përrenjasit që dikur fliste për historinë e këtij qyteti, prej shumë vitesh ofronte pamjen e trishtueshme të një gërmadhe që nuk zgjon asnjë kujtim të bukur. Do të ishte ideja e një artisti që Përrenjasin do ta pushtonte me nusepashkë, simbol i delikatesës femërore dhe përherë i përdorur si simbol fatsjellës.

“Kisha 5 vite që doja të pikturoja kullat e Prrenjasit dhe më në fund ia arrita. Duke qenë se Prrenjasi ka një femër në krye të bashkisë dhe nusepashket kanë feminilitet interesant, është arsye që i shkojnë më shumë një lokaliteti si Prrenjasi”, tregon Eljan Tanini.

Janë gjithsej 1380 nusepashkë, të cilat kanë pushtuar dy kullat e minierës së dikurshme të hekur-nikelit në hyrje të qytetit, të cilat duket sikur do të përfshijnë krejt Prrenjasin. Nëse kalon aksin nacional nuk mundet të të shpëtojë kjo pamje.

“Ka pasur shumë kureshtarë. Jo vetëm banorët vendas, por edhe të huajt. Ndalojnë poshtë rrugës kryesore dhe vijnë për tu interesuar”, shpjegon Eljani.

Por shndërrimi i gërmadhave të dikurshme nuk është thjesht ky imazh, por ideja e mëtejshme e Eljanit: “Qëllimi është që kullën ta bëjmë të aksesueshme sepse është tërheqëse dhe e veçantë”.

Koha dhe natyra kanë arritur përherë të fitojnë mbi gjithçka, edhe mbi këto gërmadha të minierave të dikurshme të Përrenjasit, të cilat tashmë janë pushtuar nga nusepashket fatsjellëse, e deri tek një pemë që ka lulëzuar në 52 metra lartësi, në majë të një kulle.