Arti dhe muzika nuk vdesin: Bashkim Paçuku, ‘Rrënkimi’ dhe ‘Opatija’

30.04.2018 18:26:29

Bashkim Paçuku, ka krijuar një karrierë muzikore të dëshmuar në kohë të ndryshme.

Prof. dr. Muhamet Sadiku

Ai është rritur eksponencialisht me rritjen e Kosovës dhe të kapaciteteve kulturore dhe muzikore. Zëri i tij i shkolluar bëri që ai të këndojë këngë me vargje të poetëve të njohur kombëtarë. Pas vitit 1990, edhe ai sikur disa artistë dhe muzicientë kosovarë, ishte i detyruar të lëshonte Kosovën në kërkim të vendeve të tjera. Kjo ishte edhe pikënisje e Bashkim Paçukut për zhvillimin e kapaciteteve të tija për muzikë operistike dhe klasike. Këtë si piedestal e arriti duke punuar në SHBA deri në ditët tona.

Por, ai edhe këndoi në festivalin “Akordet e Kosovës” me vite të tëra dhe e përfaqësoi Kosovën në festivalin më me renome “Opatija”, që konsiderohej edhe si Sanremo në mënyrën e vet të këndimit të shansonës. Në të vërtetë, me paraqitjen e Bashkimi Paçukut në “Opatija” dhe në “Zagrebfest” ai këndoi këngë tejet konkurruese, të aranzhuara dhe të dirigjuara nga ikonat e shansonës kroate (Silvije Glojnariq, Stjepan Mihaljinec, Bojan Adamiq, Stipica Kalogjera e tjerë): Vërtet personalitete të larta muzikore dhe me orientim shqiptar.

Por, ti bësh aranzhman këngës së Bashkimit dhe ta dirigjosh ishte nder për të gjithë. Në festivalin “Opatija” ai u fut në një konkurrencë me shansonierët më të njohur të Kroacisë (Dediqi, Hegedushiqi, Kabiljo, Poshqiqi e tjerë). Kësaj konkurrence i bëri ballë me talentin dhe qasjen e tij ndaj shansonës. Ka rëndësi të theksohet se pjesëmarrja në shansonën e natës së shansonës në festivalin “Opatija” bëhej sipas një çelësi/ pariteti për ish-republikat/ krahinat. Nëpërmjet këtij pariteti kishte përfaqësim edhe antishansona nga disa njësi federale. Njëri ndër udhëheqësit e këtij festivali kishte kërkuar që përfaqësimi të bëhej sipas konkurrencës.

Ai (Zvonko Poshqiqi) mendonte se Serbia, Mali i Zi, Vojvodina dhe Maqedonia nuk tregonin afinitete për shansonen moderne. Ndërsa theksonte se në përfaqësim konkurrues vendin do ta kishte Sllovenia, Kroacia, Kosova dhe Bosnja. Viti 1978 paraqet një përfaqësim kulminant të Kosovës në mbrëmjen e shansonës të festivalit “Opatija”. Në të vërtet, atë vit Kosova përfaqësohej me Bashkim Paçukun me këngën “Rrënkimi”, vargje të Fahredin Gungës, kompozim të Severin Kajtazit dhe me aranzhman të maestros kroat Stjepan Mihaljinec. Të gjithë pranuan se Stjepan Mihaljinec kishte bërë mrekulli me aranzhimin e kësaj kënge.

E kishte ngritur artistikisht për disa shkallë. Teksti, edhe pse socrealist, e tregonte një situatë të mjerë për një “fshatar të fshatit tim”. Kjo edhe e simbolizonte situatën aktuale sociale dhe politike në Kosovë. Këtë ide më së miri e kishte kuptuar Stjepan Mihaljinec, duke ofruar magjinë e aranzhmanit. Këtë e pranoi edhe Bashkim Paçuku, i cili në këtë mbrëmje u bë hero i shansonës. Para se të fillonte finalja e Festivalit Bashkimi ishte strukur në një kënd të sallës nga se nuk e njihte grupin e shansonierëve kroatë dhe sllovenë. Papritmas i ishte ofruar aranzhuesi Mihaljinec dhe i kishte thënë se sonte ti do të fitosh dhe të gjithë këta që ti i shikon do të rrethojnë që të njohin … Kishte ngjarë se pas leximit të tekstit nga shansonierët kroatë kënga të fitonte epitetin e këngës tronditëse.

Disa shansonierëve edhe u rrodhën lotët. Vërtet, kishin arsye. Bashkim Paçuku bëri interpretim të rrallë. Kënga u përfol gjatë nga shansonieret kroatë. Por, pas këtij festivali kënga u dëgjua në Kosovë në valët e Radio Prishtinës dhe RTP-së. Por me intensifikimin e demonstratave të studentëve ajo papritmas humbi në radio dhe televizion. Pas vitit 1981 dëgjohen komentet se pushteti komunist e kishte ndaluar emetimin e këngës duke u frikësuar nga nxehja e situatës në terren. Vërtet u frikësuan nga kënga. Studentët edhe ashtu e bënë të veten. Edhe pas 39 vjetëve Bashkim Paçuku ka çka të tregojë për atë mbrëmje në natën e shansonës në “Opatija 1978”:

Hoteli “Imperial”, Opatia, ku mbahej nata e shansenës

Isha më të vërtetë tejet i ri që të përballesha në një konkurrencë me ikonat e shansonës së Kroacisë dhe Sllovenisë. Paramendojeni tani kur përmend Arsen Dediq, Zvonko Shpishiq, Alfi Kabiljo, Nikica dhe Stipica Kalogjera e të tjerë. Unë i vogli në mesin e të mëdhenjve të artit, kulturës dhe shansonës moderne. Megjithatë, të mëdhenjtë munden t’i përqafojnë të vegjlit. Këtë ndjenjë e përjetova nga emrat e lartpërmendur. Çfarë shkolle dhe klase e këngëtarëve. Për çudi, babai im duke e ditur rëndësinë e kësaj ngjarjeje kishte porositur shtof – kanger anglez për teshat e mia nga Londra, të cilat m’i qepi disenjatori dibran i diplomuar në shkollën e model- rrobaqepësisë në Maribor të Sllovenisë.

Kisha veshje tejet impozante për atë kohë, më thoshin. Që më parë kishin dërguar një demo të incizuar me zërin tim. Por kur kjo i kishe rënë në dorë maestro Stjepan Mihaljinec, ai kishte shkrirë artin e aranzhuesit dhe e kishte bërë një shansonë të rrallë. Kësaj iu gëzuam të gjithë. E ndieja se po vjen shpërthimi im. Dhe erdhi momenti i daljes në skenë; unë shpërtheva, teksti ishte prekës, maestro Mihaljinec, mjeshtër i vërtetë përveç se si autor i orkestrimit, ai edhe e dirigjoi veprën të cilën unë e këndoja dhe kështu e kreva punën. Tani brenda natës të mëdhenjtë më ledhatuan dhe më përgëzuan për shpërthimin tim artistik. Kuptohet pas interpretimit në dhomën tjetër i shihja sytë e mbushur me lot të Arsenit dhe të Gabit.

Teksti e kishte bërë të vetën. Pa u hamendur fare që të dy m’u afruan dhe për tekstin me thanë se ishte këngë trishtuese. Për një natë u ndjeva më i rritur dhe shoqërohesha me të paprekurit e deridjeshëm. Atë natë fitoi arti dhe kultura e Kosovës. Ajo natë e shansonës nuk përsëritet, e ruaj të freskët tërë jetën time edhe sot që jam larg Kosovës. Më duhen ato nota, më duhet regjistrimi i asaj mbrëmjeje në të gjallë, direkt e transmetuar në televizion. Vetëm ashtu tregohet e vërteta dhe sigurisht që shëron.

Po ashtu një interpretim imi mjaft mbresëlënës tani me vokal më ndryshe, pra prej tenori, përjetoi edhe kënga e kompozuar nga Musa Piperku, me vargjet e famshme të poetit Persian, Omer Kajamit: “Këndon këndesi në mëngjes, zgjohu sa rron, zbraz kupa e puth çupa, ke shekuj të jetosh në qetësi…” kjo e kënduar në mbrëmjen e këngës zbavitëse të festivalit “Opatia”, që u mbajt në sallën e kristaltë e të cilën e dirigjoi kolegu ynë nga Radio Prishtina, Ukë Brizani. Edhe pse përpara shumë, shumë viteve të shkuara unë jam orientuar dhe i përkas botës së muzikës klasike, më saktë asaj operistike, ku karriera ime profesionale ka shkëlqyer si këngëtar i operës në role kryesore. I lumtur, po t’i kemi këto dy këngë të regjistruara në të gjallë nga transmetimi televiziv i atëhershëm, sepse janë të papërsëritshme, me emocione të veçanta dhe me impakt domethënës për kohën, si dhe janë pjesë e zhvillimit dhe rrugëtimit tim serioz prej këngëtari profesional”.