Shqipëri/ Artistët takojnë Romana Vlahutinin: Betejë deri në fund për Teatrin

21.07.2018 11:55:25

Pas letrës që mori disa ditë më parë me shqetësimet e artistëve lidhur me prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, sot ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutini ka pritur një grup përfaqësuesish nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Ambasadorja e BE-së është njohur më nga afër mbi rëndësinë e ruajtjes së godinës aktuale, argumentuar nga artistët e pranishëm si aktorja Sesilia Plasari, regjisori Robert Budina , aktori Neritan Liçaj e përfaqësues të shoqërisë civile. Në letrën dërguar delegacionit të BE-së në Tiranë një javë më parë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar rendiste të gjitha shkeljet juridike që janë bërë në miratimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.

”Ligji i miratuar shkon kundër parimeve kushtetuese dhe parimeve morale mbi të cilët shqiptarët kanë vendosur të ngrenë shtetin e tyre. Së pari, ky ligj shkel parimin kushtetues të “Barazisë përpara ligjit” përcaktuar në Nenin 18 të Kushtetutës.Ligji në fjalë me mënyrën sesi parashikon përfituesin(kompani private e përcaktuar në ligj me emër – rast i paprecedentë ky)në veprimtarinë ekonomike që rrjedh prej tij, shkel njëkohësisht parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve(e cila sanksionohet në nenin 11, pika 1 të Kushtetutës)pasi paracaktimi i operatorit ekonomik, i cili do të ngarkohet për kryerjen e aktivitetit ekonomik, pa ju nënshtruar konkurencës, por me përcaktim të drejtëpërdrejt në ligj, privon lirinë e veprimtarisë ekonomike për shtetasit e tjerë, vendas apo të huaj, që do të dëshironin të konkurronin për një mundësi veprimtarie ekonomike. Së dyti, me këtë ligj shkelet parimi i sanksionuar në nenin 4 pika 1 të Kushtetutës: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Që do të thotë se asnjë institucion shtetëror nuk mund të veprojë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese, sepse ato përbëjnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së atij institucioni”, thuhej në letër duke treguar se parlamenti ka dalë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese në miratimin e këtij lloj ligji.”

Nuk mund të miratohet një ligj për një emër të veçantë. Ky projekt i takon Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës, ose vetë Këshillit të Ministrave, por jo Parlamentit. Parlamenti ka miratuar ligje të përgjithshme se si, qeveria apo pushteti vendor duhet ti realizojnë këto projekte, por jo vetë parlamenti realizon një projekt konkret me ligj, duke anashkaluar ekzekutivin në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve”, shprehet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Artistët kanë shprehur vendosmërinë për ta çuar deri në fund betejën e tyre për të mbrojtur teatrin. Vetëm një ditë më parë Organizata prestigjioze Europiane EUROPA NOSTRA, praktikisht Zëri i Trashëgimisë Kulturore në Evropë, i kërkon Kryeministrit të Shqipërisë ruajtjen e Teatrit Kombëtar përmes një letre.

“Ne i kërkojmë Qeverisë Shqiptare, Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës, si edhe të gjithë palëve të tjera të përfshira, të rikonsiderojnë vendimin e tyre për të shembur këtë monument Europian dhe të shqyrtojnë mundësinë të ofrojnë, të paktën, rinovimet më bazike, për ta sjellë teatrin aktual në standarde.  Europa Nostra ka një interes të veçantë për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë dhe prej shumë vitesh i ka ndjekur nga afër zhvillimet atje. Në 2013 dhe 2018, respektivisht, amfiteatri romak në Durrës dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë e Vithkuq, u përfshinë në listën e “Shtatë Objekteve më të Rrezikuara” të trashëgimisë në Europë. Ne gjithashtu po ndjekim nga afër zhvillimet në qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, të listuara si Trashëgimi Botërore nga UNESCO”, thuhet ndër të tjera në letër.