Asamblea komunale në Ferizaj miratoi buxhetin për vitin buxhetor 2017

30.09.2016 09:31:22

 

Me 22 vota pro dhe 3 kundër, këtë të enjte është miratuar buxheti i Komunës së Ferizajt. Buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2017 kap shumën prej 26, 480,591.00 euro.

Hapjen e mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e ka bërë kryesuesi Faruk Guri, përderisa në mënyrë detaje ka specifikuar edhe pikat e rendit të ditës.

Por, pika e cila më së shumti ngjalli debat ishte miratimi i buxhetit për vitin 2017. Asamblistëve të Kuvendit të Komunës së Ferizajt, i është drejtuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili tha se po shqyrtojnë për të miratuar dokumentin më përmbajtjesor dhe më të rëndësishëm në sferën e angazhimeve tona institucionale, dokumentin e projekt-buxhetit për vitin 2017, si dhe vlerësimet e hershme buxhetore për vitet 2017-2019.
Në këtë mbledhje u tha se procesi i hartimit të projekt buxhetit për vitin 2017 e karakterizon ngritja e vlerës së grantit qeveritar nga 21,127,777.00 euro, se sa është në vitin 2016 në 22, 008,403.00 euro apo në përqindje është 4.18 për qind krahasuar me vlerën e vitit 2016.

Tani buxheti i komunës sonë do të pësojë ndryshime duke ngritur e krahasuar me buxhetin paraprak për 4.73 për qind pra nga 25,285,097.00 euro sa ishte në vitin 2016, tash në vitin 2017 është 26,480,591.00 euro. Buxheti i vitit 2017 është hartuar në harmoni me KASH të Qeverisë dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat e parashikuara buxhetore 2017-2019 të dhëna nga Ministria e Financave, përmes qarkoreve buxhetore 2017/01 dhe 2017/02. Po ashtu janë marr parasysh edhe debate që janë organizuar nga qeveria lokale dhe komiteti për Politikë dhe Financa si dhe janë nxjerre propozimet konkrete të cilat janë përfshirë në projekt-buxhet. Esenca kryesore është që ky projekt-buxhet përfshinë në mënyrë proprecionale, ndarja buxhetore sipas fuqisë financiare të taksapaguesëve tanë të cilët janë të shpërndarë në viset rural dhe urbane”, ka thënë kryetari Svarqa.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa , ka thënë se rritjen më të madhe në bazë të kategorive do ta kenë kategoria e investimeve kapitale dikun për 10.56 për qind.

“Ne kemi një rritje edhe në kategoritë tjera ekonomike siç është ajo e mallrave dhe shërbimeve për 5.01 për qind, kategoritë ekonomike të shpenzimeve komunale dhe subvencioneve në shumat që kanë qenë edhe në vitin 2016 që nuk kanë pësuar asnjë rritje, ndërkaq një rritje ka shënuar edhe kategoria e të hyrave vetanake”, ka nënvizuar Svarqa.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ka nënvizuar se projekt buxheti i vitit 2017, karakterizohet edhe me planifikimin e projekteve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës sonë.

“Orientim i ynë strategjik është realizimi i investimeve dhe funksionimi i Administratës komunale në shërbim të qytetarëve si dhe realizmi i projekteve kapitale që behën nga grantete qeveritare dhe nga të hyrat në dobi të interesi të përgjithshëm të qytetarëve për krijimin e lehtësirave të jetës së tyre, për ngritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale”, ka thënë kryetari Svarqa.
U tha se struktura financiare e buxhetit të Komunës përbehet nga dy burime kryesore të financimit atë të grantit qeveritar në të cilin hynë, granti i përgjithshëm, granti specifik i arsimit dhe granti specifik i shëndetësisë si dhe të hyrat vetanake.

Kjo pikë e rendit ë ditës është përcjellur me disa vërejtje nga partitë opozitare, ndërsa përfaqësues të partisë në pushtete e kanë vlerësuar tejet lart projekt buxhetin e vitit 2017.
Vërejtjeve të opozitës i janë përgjigjur Drejtorët e Drejtorive Komunale, por edhe Kryetari i Komunës Muharrem Svarqa.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe 14 pika tjera të rëndit të ditës siç ishte ndryshimi i taksave në rregulloren e të hyrave vetanake, u miratua rregullorja mbi tatimin e pronës së paluajtshme, dhënia e disa ngastrave në shfrytëzim afatgjatë, u diskutua edhe për peticionin e emërtimit të sheshit dhe vendosjen e shtatores së Tony BLair si dhe shumë pika të tjera të rëndit të ditës.