Asambleisti i LDK-së godet Komunën e Prishtinës: Po u shërbejnë molotov qytetarëve

08.09.2016 13:25:56

Asambleisti nga radhët e LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala përmes një statusi në Facebook ka shkruar se udhëheqësia e Prishtinës po u shërben qytetarëve projekte molotovësh dhe shkatërrimi e jo projekte për zhvillim të vendit.

Ai ka shkruar se si pasojë e punës së dobët në kryeqytet, Prishtina mbeti pa i përfituar mbi 1 milion euro, kjo pasi nuk është përmbushur asnjë kriter.

“Përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës sikur nuk u panë në ndarjen e shpërblimeve për performacë të mirë të komunave, në takimin e projektit të Demosit zviceran. Si pasojë e performancës së dobët të Komunës, kryeqyteti mbeti pa i përfituar mbi 1 milion euro. Prishtina nuk e ka përmbushur asnjë nga kriteret matëse të performancës.

Kategoritë matëse të papërmbushuara nga Komuna e Prishtinës janë 1. Performues jo i mirë. 2. Nuk i ka përmirësuar shërbimet publike. 3. Nuk është përmirësuese e demokracisë lokale, përkundrazi. 4. I mungoi performanca minimale në realizimin e përgjithshëm të projekteve.

 

Udhëheqësia e Prishtinës merret me politizime të skajshme e më së paku me projekte konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve të kryeqytetit. Është e vonuar me shumëçka! Keq!

Udhëheqësia e Prishtinës t’u shërbejë qytetarëve të saj me projekte zhvillimi e jo me projekte molotovësh – shkatërrimi”, ka shkruar Flamur Shala në Facebook.