Asgjë e re nga hetimet për vrasjen e Almir Aliut (Video)

18.11.2016 19:34:07

“Është dhënë urdhër për kryerjen e hetimit neuropsikiatrik ndaj të dyshuarit i cili ndodhet në paraburgim. Ende pritet për hetimi. Hetimet tjera rreth analizave dhe mbledhjes së dëshmive materiale kanë arritur dhe mbetet ashtu siç e thash vetëm hetimi neuropsikiatrik i cili duhet të realizohet nga mjekët që procedojnë të njëjtin”, u shpreh avokati Asmir Alispahiç.

Alsa-M kontaktoi me Prokurorinë Themelore në Kumanovë, nga ku konfirmuan kërkesën e mbrojtjes, por duke shtuar se hetimet neuropsikiatrike ende nuk kanë filluar. Sipas tyre akoma nuk është caktuar mjeku i cili do të kryej hetimet. Pala mbrojtëse kërkoi hetimin neuropsikiatrik, pasi që i dyshuari Boban Iliç ishte mbrojtur me atë se në momentin kur ka kryer aktin nuk ka qenë në gjendje të qetë psiko-fizike. Avokati i Almir Aliut hedh poshtë pretendimet e të akuzuarit Boban Iliç.

“Bazuar në të gjitha dëshmitë materiale, e posaçërisht në video incizimin që doli në publik, vërehet edhe mënyra edhe motivi i kryerjes së aktit jo njerëzor. Aty nuk ka pasur motiv për të shtypë për vdekje vetëm të ndjerin Almir Aliu por edhe prindërit e tij”, shtoi avokati Asmir Alispahiç.

Almir Aliu nga Kumanova, humbi jetën si pasojë e goditjes me veturë që morri mbrëmjen e 25 qershorit. Në video inçizimin e publikuar vërehet se i dyshuari Boban Iliç aktin e ka kryer në prezencë të prindërve të Alimit të ndjerë.

Ende nuk dihen motivet zyrtare, por referuar deklaratave të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, aktit i ka paraprirë një zënkë mes babait të Almirit dhe Boban Iliçit bashkë më vëllain e tij Bojan Iliç.