ASHE: Dënojmë çdo përpjekje për dëmtimin e procesit zgjedhor në Kolonjë

20.11.2016 16:38:48

Shtabi zgjedhor i kandidatit të ASHE për kryetar bashkie Ilia Stefo, në një deklaratë drejtuar mediave ka dënuar çdo përpjekje për dënimin e procesit zgjedhor sot në Kolonjë.

Nga ana tjetër ASHE ka pohuar se Partia Demokratike kërkon të krijojë alibinë për humbjen e radhës.

Deklarata e plotë

Shtabi zgjedhor i kandidatit të ASHE, njëkohësisht i kryetarit të ardhshëm të bashkisë Kolonjë Ilia Stefo, falenderon të gjithë popullin e Kolonjës për mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit që po zhvillohet gjatë të ditës së sotme. Pjesëmarrja deri tani ka qenë shumë e kënaqshme.

Një falenderim të veçantë meritojnë kolonjarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, kryesisht në Greqi, të cilët erdhën për të dhënë mbështetjen e tyre për projektet zhvilluese të Kolonjës. Ne jemi të bindur që vullneti i votuesve është në mbështetje të plotë të Ilia Stefos dhe të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ky vullnet nuk mund të cenohet nga ndonjë rast i izoluar dhune, që ka për inspirim urdhrat nga Tirana të Partisë Demokratike për të dëmtuar standardin e zgjedhjeve dhe të zbatuara nga mercenarë të ardhur nga qytete të tjera të Shqipërisë.

Populli i Kolonjës është një popull që shquhet për mikpritjen, vlerat, traditën, kulturën; dhe jemi të bindur se nuk do të provokohet nga prezenca e këtyre mercenarëve të dhunshëm . Ne dënojmë çdo përpjekje për dëmtimin e procesit zgjedhor nga kushdo qoftë dhe i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga deklaratat e papërgjegjshme përmes të cilave kërkon të krijojë alibinë për humbjen e radhës, ndërkohë që është shumë ë rëndësishme që votuesit të vazhdojnë t’i drejtohen qendrave të votimit për t’i dhënë Kolonjës drejtimin e duhur dhe në shërbim të Kolonjarëve.