Asllan Islami, mjeshtri i KAVALLIT e qobani i papërsëritshëm nga Turjaka

17.04.2018 10:12:02

Një tregim tragjik e një histori e dhimshme të një familje fatkeqe

Kujtime nga Ditari im

(Vazhdim nga numri i kalur “Fukaraja …)

 

Nga: Sinan Kastrati

 

Asllani: Ju n`shpi t`juj e ju n`temen!

Kamer Ilazi, qabani i fundit  i Turjakës, flente në kâm (1*)

Islam Maliqi, ishte njeri i varfër por i ndershëm dhe i menqur. Nuk kishte festë familjare, dasma, fjalë nuse, syneti apo edhe festa tjera që nuk e thirrnin Islamin katundi.

Turjaka deri në vitet e 1930-ta, kishte pakë familje dhe nëpër çdo gzim e çdo herë, edhe kur i prenin pasterrmat në dimër e kur i fshinim grunet në verë, thirreshin të gjithë katundi, nga një antar për familje. Edhe Islamin nuk e ndanin.

Islami ishte me fis zogjan (Zogaj) por me të gjitha familjet dhe mahallët që shumica ishin të fisit KASTRAT, shkonte mirë e kishte besim e muhabet.

Kamer Ilazi

Islami nuk kishte as një vëlla e as motër. Zoti ia kishte falur dy fëmi, një djalë, Asllanin dhe një vajzë, Vasën.

Ku i erdhi koha e martesës Asllanit, Islami e “ndërroi” vajzën, bâni “n`drrimin” e qikës së vetme për me e martua Asllanin.

E dha Vasën në Perrqevë, katund afër Sferrkës së Gashit dhe kunatën e Vasës, e muar për re, nuse të Asllanit.

Asllani, qysh i ri, ndoshta në moshë, 5 e 6 vjeçare shkonte me Islamin me lopë, si rragtarë, profesion të cilin do ta ushtronte pjesën më të madhe të jetës.

Ai, punonte, gjithashtu punët më të rënda në Katund, me pre dru, me nxjerr gurë, me hjek pleh dhe punë të tjera, të rënda.

Disa vjet Asllani ka punua te Asman Meta, si rragtar (2*).

Ama zanati (profesioni) më i dashur i Asllanit ishte ai i qabanit (bariut).

Asllani më me dëshirë do ti ruante loptë e katunit se sa ta kryente çdo punë tjetër ani pse si ai pak kush korrte me drapër grur e kallamoq.

Në mbrëmje kur i binte loptë, ai e merrte kavallin dhe i binte për babën e nënen në kasollën e vogël që e kishte në skaj të katundit afër Vakafit, në ballë me mahallën e Kajtazeve, aty ku sot i kanë shtëpitë djemt e nipat e Brahim Ramadanit.

Shpesh kur na rastiste të kalojmë afër shtëpisë së Islam Maliqit, ndaleshim dhe dëgjonim muzikën e zânin e ëmbël të kavallit të Asllan Islamit.

Kavalli, shtaga e madhe, thupra e hollë e qanta me bukë misri e pak djath ishin pjesë e pandashme e Asllanit si qaban.

…..

Ai i kulloste lopët më mirë se të gjithë qabat (barinjët) e tjerë të Turjakës sepse i dinte vendet ku ka më shumë barë, deri në Zatriq. Asllani e njihte bjeshkën si pëllëmben e dorës. Dinte ku ka pemë të shishme, që veq në bjeshkët tona ka, Lejthia, Dredhëza, Thana e pemë të tjera dhe nuk na lente neve që ishim qaban më të rinj se ai të shkojme mas tij.

Ai kurrë nuk u bë “mjeshtër” i asnjë profesioni, përveç “Qabanit”

Deri në fund të viteve 1990, Asllani punoi në ndermarrjen e vreshtarisë në Malishevë. Gjatë asaj kohe arriti ti maroj dyert e aborrit dhe një shtëpi me dy dhoma që për te ishi “pallat” por edhe ato nuk i gëzoi.

Kur pushteti policor e ushtarak i largoi nga shtëpitë, Asllani me familjen e vetë si shumica e turjakasve jetuan në bjeshkët e Turjakës dhe vetëm kur forcat e NATO-s e detyraun Serbinë që të largohet nga Kosova, banorët e Turjakës u k`thyen nëpër shtëpite e veta të djeguara.

Edhe Asllanit ia kishin djegur shtëpinë dhe kur e sheh gruaja e Asllanit shtëpinë e djegur, në gjendje depresive, e vjerre vehten me një konop.

Dhe familjes së Asllanit përveç varfërisë, i shtohet edhe një dert, një mërzi e idhnim.

Asllani edhe pse ishte i varfër, ai e kishte “ma të madh inatin se zanatin”. Nëse zogjanët që ishte “fis” me ta nuk shkonin në ndonjë festë ose nuk punonin me ndonjë familje të kastratëve, as Asllani nuk shkonte, nuk punonte e as nuk iu fliste kastratëve.

Ama, ndodhte që edhe me “fisin” e vetë të mos pajtohej gjitherë.

Jo rrallë qohej nga ndeja ku kishte qenë te kusherinjët dhe shkonte në shtëpi të vetë, nëse dikush e rëndonte me fjalë me ndonjë mesele apo mahi.

Në aso raste, Asllani iu thonte kusherinjëve “Prej sodit, ju n`shpi teme e unë n`shpi t`juj”, në vend se me iu thënë “Unë në s`hpi tem e ju në sh`pi të juajat”.

 

Tash Asllani ishte ratë e nuk po dilte nga shtëpia. Si duket është i sëmurë sepse askush nuk po e shihte as në oborr.

Para dy vjetëve, edhe pse në moshë, ende shkonte me lopë. Kur dikush nga nipat e mi i tregoj se baca Sinan ka ardhur nga Suedia, ai erdhi në një shitore, ku isha e unë e më foli. Kishte qenë bashkë Idriz Xhemën e Qazimin, djalin e Demir Shabanit.

Edhe Asllani ka vetën mjë djalë, Aliun.

Tri gjenerata, nga një mashkull, në kushte të vështira jetuan dhe vazhdojnë luftën me fukarallak,në një kasolle si në “Andrra e jetës”, “Lokja”, “Zoga” e “Trina”, me dy qika, larg civilizimit e me skamje të përditshme, sëmundje e mërzi.

As Islam Maliqi e as Asllani, nuk ishin më shumë se tre antar.

Eh numri tre, te shqiptarët është shumë popullor ….

Kamer Ilazi

Qabani tjetër më i njohur i Turjakës, pas Islamit dhe Asllanit, është Kamer Ilazi.

Kamer Ilazi është qabani i fundit i Turjakës. Si dukët, pas Kamerit më nuk do të ketë as lopë dele e as qabanë.

Si fëmijë, bashkë me Shaban Shaqën, axhën e madh Kameri ka shkua me dhèn (dele).

Edhe Kamer Ilazit, qysh kur ishte i vogël i vdes baba, Ilazi. Kameri kishte vetëm një vëlla, Shaqën, nënen e shumë motra.

Kamerin u rrit me axhën, Shaban Shaqen, që ishte një babaxhan por shumë i ndershëm dhe i dashur për nipat e vetë, djemtë e vëllait, Kamerit dhe Shaqës.

Kameri ishte qabani i fundit që i ruante delet. Ai kishte më shumë se 80 copa dele dhe fitonte bukur mirë e kishte një jetë të rehatshme por si duket “modernizimi” e përfshin edhe familjen e Kamerit.

Shaqa, vëllai më i vogëli Kamerit punonte në Gjermani dhe ai ia ndërton një shtëpi allafranga Kamerit por, edhe Shaqa vdiç para disa viteve e Kameri mbeti vetëm me fëmijët e vetë: Ilazin, Shkëlqimin, Bashkimin e Kamerin.

Vdekja e vëllait, Kamerin e kishte goditur rëndë e mërzitur më shumë se çdo për vdekjet e mëparsshme, vdekjen e babait e mërzi tjera.

Kur isha herën e fundit, para dy vjetëve në Kosovë, shkova me e pa Kamerin që i ka vdekur Shaqa.

Isha edhe te qabat e kohanikët e tjerë por Turjaka kishte ndryshua shumë.

Nåe mëngjese nuk dëgjoja zilet e lopëve t ë deleve. Fshatarët nuk zgjoheshin herët dhe te asnjë shtëpi nuk shihja tym oxhaku.

Një odë të të gdhendur në dru, ndër më të bukurat në katun e kishte Kamer Ilazi, që isha për kryeshnosh. Në ballë të odës e kishte vjerrur një foto të Shaqës.

Kameri, nuk ka qenë asnjë ditë në shkollë dhe nuk din as shkrim as këndim. Zanati më i dashur i Kamerit ishte, QABAN, por qaban i dhenëve.

Ai tjetër punë nuk kryente por edhe dhentë, tash ia kishin hjek djemtë, Ilazi, më thanë. Ilazi, djali më i madh i Kamerit, ia kishte delet. Kameri tash e kishte nis ni zanat tjetër, kushdo që po prente ndonjë dele apo lopë. Ai përveç lëkurës, e ndonjë pjese, si mushkëri, zemër e veshkë, pare tjetër nuk merrte.

Kur ishte Kameri i vogël, ne djemt turjakas që vazhdonim shkollën, në pushimet verore dhe në çdo festë shtetërore që kishim pushim e vinim në Turjakë, dilnim e luanim futboll në livadhet e Turjakës e Kamerin rrinte si “gollman”, e ruante portën.

Kjo edhe për arsye të thjeshtë: të gjithë ata që luanin më “dobët” i linim si “portier” apo “gollman”.

E pra, edhe Kamerin, si “punën” më të letë që nuk kishte nevojë me vrapua pas topit, hynte në portë që në vend të drunjëve, i qitshim teshat, pantollat ose palltën.

E ne të tjerët, Agush Mehmeti, Adem Uka, Azem Asmani, Shefket Zeneli, Muhamet Avdyli, Demir Ahmeti, Aziz Amrushi, Agim e Besim Rexha, unë (Sinan Kastrati e …. luanim si mbrojtës, mesfushorë e sulmues.

Shpesh kur e kthenim kryet kah “golla” jonë, Kamerin e kish zân gjumi në kâm (këmbë). Atherë dikush nga më të mëdhenjët e merrnim Kamerin ngadalë dhe e shtrinim për tokë në livadh dhe e mbulonim e ai flinte si kingj.

Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë kur shkoja në Turjakë e mos të shkoja te Kamer Ilazi.

Me Kamerin i kujtonim bashkë ato ditë të atyre viteve që nuk k`thehem më. Ishin sigurisht ditët e vitet më të lumtura të jetës sonë.

Unë e kujtoja Kamerin, si të urtë por qabant e Turjakës, ata që ishin më të rinj, më treguan se Kameri, nëse dikush “ja ka prishte timin e duhanit”, nuk e ka ngue e ia ka `thye fjalën, vesh e ka qit në lumin Mirusha dhe i ka thënë: -Shytu e duke ia mbajt thuprën te kryet!

Sot kur fola me nipin tim, Sabitin, ai më tha: dje e kam takua Kamerin e ai më  pyeti: Ku pa shkon?

Ky i kish thënë: Më ka thenë Baca Sinan me i fotografua shtëpinë e Hasan Sejdisë, të Asllan Islamit dhe Salih Seferin. E Kameri ia kish kthye: -Kush të paguan qi pa ngan ti kështu?

Tregoj Sinanit në Suedi e kallxom, shka t`ka thâ!

Kështu i kish thënë Kamer Ilazi, Sabitit të Zeqir Ukës, djalit të vëllait tim.

Vazhdon me Hasan Sejdinë, Hisni Hamzën, Sali Seferin e Zeqir Ukën (vëllain tim)

Malmö, 17 prill 2018