Asociaconi, Vuçiç: Nuk do ta formojmë në mënyrë të njëanshme

19.04.2018 09:16:18

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të presin edhe tre muaj e gjysmë, duke respektuar kështu afatin e përcaktuar nga Bashkimi Europian, për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kohë më parë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës paralajmëruan themelimin e njëanshëm te Asociacionit më 20 prill, nëse Qeveria e Kosovës nuk ndërmerr veprim deri në atë datë.

Vuçiç tha se do të bisedojë me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini duke konfirmuar se temë kyçe do të jenë raportet mes Beogradit e Prishtinës.

“Serbët s’do ta formojnë Asociacionin as nesër, e as pasnesër. Kemi pritur pesë vjet, do të presim edhe këta tre muaj, që askush të mos i akuzojë serbët se po i shkelin marrëveshjet dhe dakordimet ndërkombëtare”, theksoi Vuçiç