Aspekte gjeopolitike e gjeostrategjike ruso-serbe në Siri dhe në Kosovë

09.10.2016 16:57:34

Nga Rexhep Kastrati

Rusia para do dite tha se me të gjitha mjetet do të mbrojë asetet e saj në Siri, kurse Serbia dhe se me të gjitha mjetet do mbrojë asetet e saj në Kosovë. Nuk është veç kjo e përbashkëta në këtë mes: e përbashkët është Siria, pasi që vitin e klauar, Aleksandër Vulin ka thënë se Kosova është si Siria. Në fakt, ka një dallim ndërmjet aseteve ruse në Siri, dhe atyre që Serbia i quan asete të saj në Kosovë, pasi që asetet ruse në Siri janë mjete, objekte dhe gjësende të tjera që Rusia i ka dërguar qoftë gjatë regjimit të Hafëz el Asadit, babait të Bashar el Asadit, por edhe gjatë pushtetit të këtij të fundit, e gjithsesi edhe gjatë kohës sa po zgjat lufta qytetare atje. Në anën tjetër, ato që Serbia i quan asete të saj në Kosovë janë pasuri nëntokësore dhe mbitokësore të Kosovës dhe në territorin e saj: Telekomi, Trepça, Brezovica atj. Megjithatë, zelli apo qasja e këtillë e pronësisë mbi asete, dëshmon se as për Rusinë dhe as për Serbinë, as Siria, as serbët e Kosovës nuk janë asgjë tjetër pos mjete, mekanizma, mundësi për përifitime pronësoro-juridike, pra zhvatja. Dhe kjo duket se është veçori e përbashkët që i bën të njëjtë edhe në qasjen q kanë ndaj çështjeve të rendit botëror, të së drejtës ndërkombëtare dhe të tipeve të tjera të së drejtës. Trajtimi i njerëzve si mjete për të arritur qëllimin, aq më keq, pranimi i një qasje të tillë nga regjimi i Asadit, por edhe nga serbët e Kosovës, në fakt dëshmon për një profil dhe karakter mazohist të tyre. Në rastin e Kosovës, kjo është dëshmuar jo vetëm tash, por në vazhdimësi, sidomos me rastet kriminale të vetëdhunimit dhe të vrasjes nga vetë shteti serb të qytetarëve serbë të Kosovës për të fajësuar dhe inkriminuar shqiptarët. Për fat të keq të tyre, përkundër faktit se politika hegjemonistemilosheviqiane, që është politikë tradicionale serbe, ua ka prishur raportet me shqiptarët, për të mos thënë edhe i ka armiqësuar, serbët vazhdojnë të luajnë rolin e mjetit, duke ia përkeqësuar edhe më tej vetes pozitën dhe rapotrtet me shqiptarët. Presidenti Rugva qysh gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ua ka pas tërhequr vërejtjen serbëve lokalë që të kenë kujdes se si sillen me fqinjët e tyre shqiptarë, por duket se ata ose nuk duan, ose nuk kanë fuqi që të refuzojnë rolin e tyre prej mjeti. Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet tjera qoftë për kompetenca shtesë për komunat me shumicë serbe, qoftë edhe me diskirminimin pozitiv dhe përfaqësimin në të gjitha institucionet e Kosovës, u garanton atyre trajtim shumë të mirë dhe ua garanton pacenueshmërinë e tyre në Kosovë, e që do të ishin të mjaftueshme për ta që të marrin guximin që të refuzojnë rolin e mjetit për arritjen e qëllimeve  nag ana e Beogradit. Fakti që serbët janë bërë mjet me të cilin Serbia pretendon të përvetësojë pasurinë e Kosovës, edhe me qëndrimin ndaj ligjit për Trepçën, tregon se ata nuk e kanë ende, ose nuk duan ta kenë gximin që të refuzojnë qasjen që Serbia ka ndaj tyre. Në anën tjetër, diskutimi i Rusisë me terma pronësoro-juridikë për asetet e saj në Siri, edhe qasjes së njëjtë që Serbia ka ndaj pronave dhe paasurisë së Kosovës ia jep një dimension tjetër: dimensionin të drejtës për të mbajtur si koloni vendet respektive: Sirinë dhe Kosovën. Në këtë rast, ajo thënia e Aleksandër Vulinit se Kosova është sikur Siria, del të jetë jo vetëm me kuptimin e një vendi me gjakderdhje dhe luftë vëllavrasëse, por edhe në rolin e kolonisë. Rusia edhe një herë tregoi se Sirinë e trajton koloni të saj, dhe vazhdon të ketë po ato pretendime që i ka pasur me dekada: ta mbajë atë në tutelën e saj në të gjitha aspektet. Duhet të theksoj se Siria, Libia, Egjipti dhe shumë shtete që fituan pavarësinë si proces e shkolonizimit të kolonive të Francës, Anglisë, Italisë etj., ranë nën ndikimin dhe nën tutelën e BRSS-së, sot Rusia, dhe RSFJ-së, sot Serbia, dhe si të tilla vazhduan të jenë pjesë e euroazisë, përkatësisht pjesë e interesit gjeopolitik e gjeostrategjik rus. Kështu ka ndodhur edhe me hapësirën shqiptare në rajonin tonë që ra nën ndikimin dhe kontrollin komunist, apo siç mund të thuhet sot, të euroazisë. Dhe përpjekja për ta mbajtur Kosovën zonë të interesit gjeopolitik e gjeostrategjik serbo-rus, është e ngjashme me përpjekjen e Rusisë për ta mbajtur Sirinë zonë të interesit gjeopolitik e gjeostrategjik rus. Në Kosovë, sikurse në Siri po bëhet luftë gjeopolitike e gjeostrategjike, prandaj edhe angazhimet për të destabilizuar Kosovën dhe për ta bërë si Siria, kanë vetëm një qëllim: realizimin e skenërëve serbo-rusë për të vënë kontroll gjeopolitik e gjeostrategjik në pjesë të rëndësishme të botës për t’i përdorur jo vetëm për shfrytëzmin e pasurive të tyre, por edhe për të bërë diversion mbi lirinë, demokracinë dhe pavarësinë në dimensionet e gjera të tyre.