Aspekte kundërkombëtare dhe gjeopolitike të të ashtuquajturës çështje e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

25.01.2017 20:50:36

Nga rexhep Kastrati

Ka disa ditë që po zhvillohet një debat lidhur me të ashtuquajturin shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që pas shumë kohësh e ka rihapur Rexhep Qosja. Po pse Rexhep Qosja e ka rihapur këtë çështje, kur ka pasur dhe vazhdon të ketë një retorikë të fortë akuzuese në raport me Qeverinë që e drejton kryeministri Mustafa, se gjoja po e cënoka sovranitetin e Kosovës, se po i flaka tokë të tjerëve etj.? Dhe thelbi i gjithë këtij debati është pikërisht ky, sepse si debat po vjen pikërisht pas dhe në kontekst të akuzave të rënda ndaj Qeverisë që drejton kryeministri Mustafa nga ata që u paraqitën si mbrojtës të sovranitetit të Kosovës, ani që nuk e njohin fare kët sovranitet, si dhe nga ata që u paraqitën si mbrojtës të tokave shqiptare. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa, dhe vetë kryeministri Mustafa ka mbi dy vjet që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë objekt sulmesh dhe fushatash primitive shpifëse, denigruese dhe të një lufte speciale politike, medietike dhe agjenturore pikërisht për të krijuar perceptimin se po dashkan të cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe se po dashka t’i falin territor të tjerëve. Ndërkohë që me rihapjen e të ashtuquajturës çështje të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm që nuk ka asnjë akuzë ndaj Rexhep Qosjes, por ka një heshtje të plotë nga ata që e akuzonin kryeministrin Mustafa për cenim sovraniteti dhe për dhënie të territorit të Kosovës të tjerëve. Përkundrazi, ka një ledhatim të plotë medietik, ka një afirmim të plotë të kësaj çështjeje, dhe madje ka edhe përfshirje të plotë edhe të kukudhëve të LDK-së, apo tashmë ishëve. Dhe kjo po ndodh për shkak se është në platformën e hershme të linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, duke dëshmuar konsistencën e qëndrimeve që nga koha  e luftës e këndej. Të kujotjmë me këtë rast, se në janar të vitit 1999, Rexhep Qosja ishte shprehur publikisht se do të njihte të drejtën e serbëve të Kosovës për vetëvendosje, kurse Hashim Thaçi do t deklaronte pas luftës së Serbia do Mitrovicën për Preshevën. Pra, kjo histori është stisur herët dhe ka qenë arsyeja se përse njësitet e UÇK-së nuk ishin lejuar që të depërtonin edhe në veri të Kosovës. Prandaj, edhe riaktualizimi i kësaj çështjeje është bërë nga Qosja vetëm pak ditë para se Hashim Thaçi të ribëhej pjesë e negociatave të Brukselit, me ftesë të Mogherinit. Dhe është për të theksuar se me t’u bërë publik lajmi se Mogherini do të ftojë drejtuesit më të lartë të dy shteteve, pra edhe presidentët, mediet dhe portalet filluan të gumëzhinin nga debati për të ashtuquajturën çështje të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, po këto medie dhe portale ranë për tokë duke u munduar të bënin heroizimin e Hashim Thaçit, duke ia lënë në dispozicion të plotë gjithë hapësirën medietike, por edhe vetë Hashim Thaçi, edhe pse president dhe pjesë aktive e negociatave në Bruksel ishte vazhdimisht në dispozicion të medieve dhe të portaleve. Ky zell i medieve dhe i portaleve për të bërë heroizimin e Hashim Thaçit dhe për të ribërë yll medietik, është edhe një dëshmi se këto medie janë thuajse plotësisht nën kontrollin e strukturave mafiozo-politike. Dhe për ta bërë më të fuqishëm këtë heroizim, ka një heshtje të plotë të opozitës, të veglave kondomë brenda e rreth LDK-së, dhe të gjithë atyre që nuk lanë gjë pa thënë kundër kryeministrit Mustafa dhe Qeverisë së vendit.

Një arsye tjetër pse Rexhep Qosja ka bërë riaktualizimin e të ashtuquajturës çështje të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka të bëjë me faktin se gjithë angazhimi i dy viteve të fundit ka qenë që t’i hapet rrugë ndryshimit të kufijve në rajon, pra edhe të Kosovës. Platforma e Tadiqit që në Kosovë e përfaqëson Albin Kurti dhe sekta okulte e tij, nënkupton bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, me kusht që edhe Serbia të marrë një pjesë të Kosovës. Dhe tashmë kur Serbia e di se ka filluar faza përfundimtare e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e që nënkupton ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-federata Jugosllave, dhe kur tashmë Milorad Dodik është duke u përgatitur për të shpallë shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja, nevoja e saj, pra e Serbisë për të rihapur ndër shqiptarë të ashtuquajturën çështje e shkëmbimit të territoreve, është më shumë sesa urgjente. Kam thënë vazhdimisht se Serbia dhe Rusia, por edhe Kroacia, e vetë Maqedonia janë thellësisht për të hapur fazën përfundimtare të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e që nënkupton pikërisht ndryshimin e kufijve ndërmjet shteteve të dala nga ish-federata jugosllave, sepse në këtë mënyrë ndodh ricopëtimi i territoreve shqiptare dhe i Bosnjës. Nga ky proces, Serbia merr Republika Srpskën, pra 49% të Bosnjes, merr minimalisht 17% të territorit të Kosovës, mund të ndodh bashkimi i pjesës së mbetur të Maqedonisë me Serbinë, dhe rrezikohet edhe Mali i Zi. Kurse Kroacia merr rreth 17% të territorit të Bosnjës, mund të pretendojë në Mal të Zi. Mirëpo, të gjitha këto bien ndesh me parimet e Badinterit, si dhe me obligimet ndërkombëtare që kanë këto shtete, prandaj, ato duan që përgjegjësinë për të gjitha këto t’ia lënë Kosovës, duke e nxitur pikërisht një debat për të ashtuqujaturin shkëmbim territoresh. Pra, siç kam thënë vazhdimisht, Serbia, Maqedonia, Kroacia dhe shtete të tjera kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje që të realizojnë synimet e tyre, por jo duke  efilluar vetë, por duke e nxitur Kosovën që të kërkojë ndryshimin e kufijve, qoftë ky edhe si shkëmbim territoresh.

Një tjetër arsye se përse Serbisë i ngutet që të hapet çështja e ndryshimit të kufijve në rajon, qoftë edhe si shkëmbim territoresh, ka të bëjë me faktin se negociatat e Brukselit mund ta lënë jo vetëm pa një legjitimim të shkëputjes së Republika Srpskës nga Bosnja, por mund ta lërë edhe pa kontrollin e saj mbi veriun e Kosovës. Rasti me trenin, përkatësisht me shkuarjen e forcave speciale policore në veri, kanë dëshmuar se gradualisht edhe veriu i Kosovës do të futet në kontrollin e institucioneve të Kosovës. Prandaj, Serbia kërcënon se do të krijojë një Republika Srpska në Kosovë, duke dëshmuar kështu panikun që e ka kapur nga mundësia që të humbë plotësisht kontrollin mbi atë pjesë të Kosovës. Futja nën kotroll nga ana e institucioneve të Kosovës, shtrirja e sovranitetit deri në pikat kufitare në veri, Serbisë do t’ia shuante shpresat për strategjinë e saj që të fillojë ndryshimin e kufjve në rajon, nga Kosova. Përkundrazi, do të ishte para alternativës që të stoponte angazhimet e Milorad Dodikut që më 2018 të shkëpuste Republika Srpskën nga Bosnja, ose të rimerrte edhe një herë përgjegjësinë për prishjen e parimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, mbi të cilat funksionon paqja dhe stabiliteti rajonal, dhe me këtë, edhe pasojat për angazhimet e tilla. Prandaj, Serbia ka bërë gjithçka gjatë këtyre viteve që ta destabilizojë Kosovën, duke nxitur dhe provokuar situata destabilizuese. Kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës, edhe vetë Milorad Dodik ishte deklaruar disa herë se duhet t’i bashkohej Serbisë, me çka vihet re lidhshmëria e ndryshimit të kufijve në rajon, pikërisht me angazhimet për të nxitur Kosovën për një proces të tillë.

Një tjetër arsye, është edhe çështja e Malit të Zi, përkatësisht orientimi i saj eruoatlantik. Siç dihet, Mali i Zi që para shpërbërjes së bashkësisë me Serbinë, ishte distancuar nga anagzhimet Serbisë, edhe gjatë luftës në Kosovë dhe në vazhdimësi. Me pavarësimin e tij, Mali i Zi u pat përcaktuar për një orientim euro-atlantik, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe në BE. Tashmë dihet se gjatë këtij viti janë të mëdha gjasat që Mali i zi të përmbyllë procesin e anëtarësimit të saj në NATO, duke shënuar kështu shkëputjen përfundimtare të saj nga ndikimi rus dhe pëgjithësisht sllavo-ortodoks. Dhe ky fakt është duke e tmerruar Rusinë dhe Serbinë, prandaj bnë çmos për të bërë atentat në kryeministrin Gjukanoviq, dhe për ta destabilizuar Malin e Zi.

Maqedonia shtë një tjetër arsye se përse Serbia është e interesuar që në Kosovë të rihapet dhe të legjtimohet e ashtuquajtura çështja e shkëmbimit të territoreve. Është kështu për faktin se ky shtet që luhatet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, është në një fazë përcaktuese për orientimin e mëtutjeshëm që do të marrë. Partitë kryesore shqiptare kanë arritur një marrëveshje për t’u bashkuar rreth një platforme kushtëzuese ndaj partive sllavo-maqedone, në bazë të të cilës do të kërkoheshin ndryshime kushtetuese dhe ripërkufizim të Maqedonisë si shtet edhe i shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ky shtet gjendet përballë situatës kur duhet të përcaktohet për orientimin e saj gjeopolitik, si dhe për pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Distancimi nga Perëndimi dhe rikthimi i saj nën kontrollin rus do të ishte shkatërrimtar për këtë shtet, kurse ripërcaktimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, po ashtu, do ta bënte atë shtet që nuk do të mund të luante më me lojëra gjeopolitike herë me Perëndimin, herë me Rusinë, apo edhe me Perëndimin, edhe me Rusinë, pasi që shqiptarët janë qartësisht të përcaktuar për orentimin gjeopolitik euro-atlantik. Prandaj, vazhdimisht e ka pasur orientimin drejt ndarjes së saj, për të shmangur rolin e shqiptarëve, si dhe për të zhvatur territore shqiptare në një ndarje evemtuale.

Pra, rihapja e të ashtuquajturës çështje e shkëmbimit të territoreve, për Serbinë, Rusinë dhe të tjerë ka rëndësi shumë të madhe, jetike dhe thelbësore, pikërisht se mbi këtë ka bazuar strategjinë për ndryshim kufijsh në rajon. Siç kam thënë vazhdimisht, serbët do të ishin përfituesit më të mëdhenj, kurse shqiptarët do të ishin humbësit më të mëdhenj. Serbia, përveçse do të përfitonte territore që nuk kanë qenë të sajat, por do të ridimensionte kontesktin gjeopolitik në rajon, duke fuqizuar ndikimin rus në Ballkan dhe duke krijuar rivalitet më të madhe me NATO-n. Dhe Serbia do të ishte edhe përfituesja më e madhe gjeopolitike, sepse do të prfitonte nga Perëndimi duke treguar goglin rus, si dhe nga Rusia, duke treguar goglin Perëndim. Shqiptarët do të humbisnin shumë territor, do të humbisnin peshën gjeopolitike, do të përfshiheshin nga grupe dhe doktrina të ndryshme të ekstremizmit islamik.