Aspekte të jolirisë dhe të mendësisë e sjelljes totalitare që mundësojnë fuqinë politiko-institucionale të sjelljeve të dëmshme shtetërore e kombëtare

14.03.2019 15:05:37

Nga Rexhep Kastrati

Në regjimet totalitare, nuk luftoheshin pikëpamjet, por individët që kishin ato pikëpamje, sepse ishin të dobët për t’i mposhtur pikëpamjet. Dhe lufta ndaj individëve ishte tërësore: fizike, psikologjike, propagandistike, ekonomike, deri në likuidim të plotë fizik.
Në regjimet post-,totalitare, këto metoda jo që nuk u ndërprenë, por u forcuan dhe u pasuruan më metoda të tjera.
Duket se si shoqëri ende nuk jemi liruar nga forma e funksionimit të saj në regjimet totalitare dhe ende kapërdijmë metoda totalitare të jolirisë dhe të kundërlirisë: ende shpifje, sharjen, fyerjen, tonet e larta, kërcënimet, montimet, falsifikimet i konsiderojmë argumente.
Format e sado-mazohizmit dhe të destruktivitetit njerëzor, të cilat janë të përshkruara në literaturën deskriptive dhe prespiktive të raportit të lirisë dhe të totalitarizmit, sidomos servilizmi, konformizmi, poltronizmi, oportunizmi, linçimi, etiketimi, përbaltja, kontrolli autoritar, joliria, kufizimi dhe pamundësimi i vetërealizimit, i konkurrencës së lirë, i lirisë së shprehjes, i ndërhyrjeve në të drejtat themelore të njeriut, madje edhe në formë banale të policisë së mendimit, të leximit, të pranimit apo mospranimit të informacioneve, ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme, e që është bërë dukuri në rrjete sociale, ku njerëzit marrin kërcënime për pëlqime apo mospëlqime, sugjerime kush duhet e kush nuk duhet të lexohet apo të pëlqehet, e deri të shpifje dhe montime të ndryshme.
Për fat të keq, format e fundit të jolirisë dhe të një mendësie dhe sjellje neototalitare, janë bërë forma edhe të luftës klanore brenda partive dhe jo vetëm, më ç’rast individë brenda apo jashtë strukturave partiake përcillen se çka postojnë, kë kanë shokë në këto rrjete, kë pëlqejnë e kë nuk pëlqejnë, pse kanë bërë ose nuk kanë bërë pëlqime, komente në statuset vozhdit, apo të pjesëtarëve të klaneve apo partive të caktuara.
Madje edhe politikat kadrovike po bëhen mbi bazën e cilësisë dhe vëllimit të sado-mazohizmit, përkatësisht sa agresivë, përbaltës dhe linçues janë ndaj personave të caktuar dhe sa nënshtrues janë ndaj udhëheqësve partiakë dhe të klaneve.
Këto forma dhe të tjera të jolirisë dhe të mendësisë e sjelljes totalitare, nuk ka të bëjë thjesht me individë, por janë të përmasave të gjera dhe që po përcakton edhe qëndrimet kolektive të shoqërisë në përgjithësi dhe të institucioneve politiko-shtetërore, publike, kulturore, shkencore etj.
Për shembull, një nga format e jolirisë kolektive është edhe fakti se, më në fund, ka një pajtueshmëri për karakterin destruktiv, të dëmshëm dhe të rrezikshëm të sjelljes politiko-institucionale të Hashim Thaçit dhe të linjës që ai përfaqëson, por nuk ka kurajo dhe përkushtim për të adoptuar politika, alternativa dhe sjellje politike për të penguar realizimin e politikave të pranuara si të dëmshme dhe më mendësi totalitare.
Refuzimi po bëhet në nivel të një retorike boshe verbale, por jo edhe të një sjelljeje dhe veprimi refuzues konkret
Fakti se si shoqëri po mjaftohemi më retorika boshe verbale dhe po kënaqemi me refuzimet hipokrite dhe mediokre të mediokrëve të ndryshëm politikë, mediale dhe civilë, tregon sesa thellë jetojmë në jolirinë dhe në një mendësi totalitare.
Fakti se quhet guxim të shpërfaqësh retorika hipokrite dhe mediokre refuzuese ndaj Hashim Thaçit, tregon sesa kemi degraduar politikisht, mediatilkisht, kolektivisht dhe individualisht në raport me guximin, përkushtimin dhe veprimin refuzues dhe ndërtimin praktik të politikave, strategjive dhe të realiteteve të kundërta me ato të një shteti pushtues.
Prandaj, është kusht sine qua non për të penguar realizimin e politikave të dëmshme, eliminimi i këtyre dhe formave të tjera të jolirisë, sepse vetëm individët dhe një shoqëri e lirë nga mendësi, sjellje dhe qëndrime totalitare mund të realizojë veten dhe mund të shpalosë energjitë, fuqitë dhe vlerat e saj!
E një nga aspektet e konceptit të lirisë në trinomin: Liri, Pavarësi, Demokraci, të presidentit Rugova, është pikërisht ky!