Astrit, mbi gjakun, mbi vdekjen duan të ngrenë lavdinë e tyre makabre

06.11.2016 12:53:02

Nga Rexhep Kastrati

Astrit, nuk kam menduar se ndonjë herë do të vinte rendi që të flisnim për të gjallë, prandaj edhe e kam të vështirë të të drejtohem tash kur nuk je gjallë. Po Astrit, e kam shumë të vështirë sepse nuk jam horr si disa që pikërisht duan të përfitojnë politikisht, mediatikisht dhe moralisht edhe nga vdekja jote. Nuk jam horr që në momente të rënda për familjen tënde të nxitoj të të thur lavde dhe të të bëj hero vetëm për të përfituar personalisht, politikisht dhe medietikisht. Unë nuk mund të të shpallë hero, Astrit, se nuk kam arsye për ta bërë këtë, sepse veprimet për të cilat mund të jesh arrestuar, unë i kam kritikuar dhe i kam quajtur të dëmshme për vendin. Dhe vazhdoj t’i quaj të tilla edhe tash. Por po ashtu, ty nuk mund të të quaj jopatriot, sepse ti mund të kesh qenë më patriot se unë dhe se shumë të tjerë. Më shumë se Albini, më shumë se Visari, më shumë se dy Dardanët, më shumë se shumë të tjerë që në emër të patriotizmit kanë frymëzuar, kanë nxitur dhe kanë indoktrinuar njerëz si ti dhe të tjerë për të bërë veprime që kanë qenë dhe janë të dëmshme për vendin, po se po. Por retorika pseudonacionaliste e Albinit dhe e sektarëve të tjerë ka synuar dhe synon rrëzimin e Republikës, rrëzimin e shtetit. Këtë nuk e kam thënë veç unë, e kanë thënë edhe pjesëtarë të tjerë të opozitës, por e ka thënë edhe vetë Albini. Pra, retorika pseudonacionaliste, Albinit i ka shërbyer për të indoktrinuar njerëz për të shkatërruar shtetin, ashtu si Al Bagdadit, i ka shërbyer dhe i shërben retorika pseudoislame për të vrarë njerëz. Albini po, ka bërë thirrje për luftë, për revolucion, edhe institucionet e shtetit të Kosovës i ka barazuar me të Serbisë së Milosheviqit, prandaj hajde t’i rrëzojmë, hajde t’i shkatërrojmë. Dhe juve që e keni ndjekur ju ka bërë të besoni se është si thotë ai, dhe edhe keni vepruar si thotë ai. Dhe fundi ishte ky: ti nuk je në mesin e të gjallëve! Unë ende nuk di arsyet pse nuk je më në mesin e të gjallëve, dhe ato mund të jenë ndër më të ndryshme. Pse duhej të konsumoje medikamente të tilla? Ke qenë sëmurë? Apo kishe filluar të vetëdijesoheshe për rrugën e gabuar në të cilën ishe futur dhe kishe kaluar në depresion? Dhe pyetjet janë shumë, por nuk dua, jo nuk dua të bëhem horr dhe të shtroj dilema mbi fatkeqësinë tënde dhe mbi dhimbjen e familjarëve të tu. Vërtet është e rëndë të shohësh se si mbi fatkeqësinë tënde dhe mbi dhimbjen e familjarëve të tu, horrat, matrapazët dhe argatët e dreqit duan të përfitojnë personalisht, politikisht dhe mediatikisht. Por beso Astrit, të tillët janë kufoma të gjalla që bredhin poshtë e lartë dhe bëjnë se jetojnë. Të tillët janë kufoma që si vampirët duan gjak, gjak, gjak! Dhe mbi gjakun e të tjerëve kanë ngritur dhe vazhdojnë ta ngrejnë piemontin e lavdisë së tyre makabre.