Ata që i tmerron vogëlsia e tyre kujtojnë se u ka faj shteti dhe duan gjithqysh ta dëmtojnë

06.01.2017 19:37:17

Nga Rexhep Kastrati

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ishte angazhuar personalisht gjatë tërë kohës kur Ramushi ishte ndaluar në Slloveni, por, po ashtu, kishte angazhuar gjithë ekipin e tij për këtë punë. Dhe derisa nuk u lirua Ramushi, kryeministri i vendit, Isa Mustafa çështje kryesore e pati pikërisht këtë. Dhe mirë ka bërë, sepse ky është kryeministër i Kosovës, sepse është modeli i një kryeministri të vërtetë, e jo kryeministër klanesh “Pronto” apo “haraçi”. Edhe në rastin e tanishëm të arrestimit të Ramushit, kryeministri Mustafa është plotësisht i angazhuar që të përpshpejtojë lirimin e tij. Vetëm brenda ditës ka shfaqur më shumë se dy herë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje, pa përmendur këtu edhe angazhimet në kanale diplomatike që zakonisht bëhen në këto raste. Pra, vazhdimisht kryeministri Mustafa ka realizuar angazhimin e tij të plotë për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn.

Mirëpo, përkundër këtyre, janë shfaqur dy lloj qëndrime negativiste, edhe kundërthënëse ndërmjet tyre: njëri është i sektës okulte të Albinit, e cila kujton se qendra e botës është ajo dhe të gjithë duhet t’i shkojnë pas dhe që shet pallavara ngaqë e sheh vogëlsinë dhe hiçësinë e saj, dhe një tjetër që shpreh një lloj xhelozie për angazhimin e kryeministrit Mustafa për lirimin e Ramush Haradinajt. Është interesant se askush nuk po e vëren heshtjen e Kadri Veselit, i cili përkundër dëshirës për të qenë me çdo kusht në media, kësaj here nuk po bie fort në sy. Ndoshta rri në prapaskenë për të organizuar ndonjë goditje ndaj institucioneve të shtetit, në mënyrën siç di ai dhe siç ka dëshmuar edhe dy vitet e kaluara.

Përkundër këtyre, kryeministri Mustafa po dëshmon se është në përgjegjësitë e tij të plota kushtetuese dhe ligjore dhe po bën gjithçka për qytetarët e saj, qoftë edhe kur bëhet fjalë për personalitete politike. Në fakt, Kosova nuk ka pasur ndonjë kryeministër kaq të angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të shtetit të tij, më shumë sesa kryeministri Mustafa. Historia e afërt dëshmon se kryeministrat e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë gjë për mbrojtjen e jetëve të politikanëve dhe të kuvendarëve, të gazetarëve dhe të ushtarakëve, brenda vendit, e lë më jashtë tij.

Po ashtu, është në kulturën shtetërore që të gjithë bëhen bashkë me institucionet e shtetit dhe i mbështesin plotësisht në qëndrimet që shprehin, në angazhimet që ndërmarrin dhe në gjithçka tjetër që ka të bëjë me raportet e shtetit me shtete të tjera dhe me çështjen e të drejtave të shtetasve në shtete të tjera, pra edhe në raste të tilla si rasti i Ramush Haradinajt, e jo që të keqpërdoren raste të tilla dhe të tjera për të goditur shtetin dhe institucionet e tij.

Fatkeqësisht te ne, sidomos gjatë tërë këtyre dy viteve është bërë gjithçka që institucionet të mos funksionojnë, që ato të rrënohen dhe që situata të destabilizohet. Dhe në këtë kontekst, është keqpërdorur gjithçka legale dhe ilegale për të penguar institucionet, për të komprometuar ato, si dhe për të realizuar anarkinë. Të tillëve, natyrisht u pengon kur kryeministri Mustafa angazhohet në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit, sepse në këtë mënyrë nuk mund të komprometohen institucionet, por dëshmohet se shteti funksionon dhe ka një kulturë dhe model shtetformimi dhe shtetfunksionimi normal.