Ata që po keqpërdorin vrasjet politike kundër LDK-së dhe Kosovës, po i vrasin sërishmi viktimat e dhunës politike!

13.04.2017 10:58:50

Nga Rexhep Kastrati

Për vrasjet politike po shkruhet jo për zbardhjen e tyre, por për të sulmuar LDK-në dhe për të thjeshtësuar karakterin politik të tyre. Është kështu për faktin se ata që po e sulmojnë LDK-në se po keqpërdor për qëllime elektorale vrasjet politike, janë ata që kanë përgjegjësi politike për realizimin e këtyre vrasjeve, qoftë për faktin se një pjesë e tyre përmenden dhe akuzohen për vrasje të tilla, qoftë për faktin se bëjnë apologjinë e tyre, qoftë për faktin se u përkasin të njëjtave struktura mafiozo-politike dhe agjenturore që kanë përgjegjësi për vrasjet politike. Dhe këtë e bëjnë jo për të zbardhur vrasjet politike, por për të mbyllur debatin për to. Me fjalë të tjera, duan që të pengojnë zbardhjen e tyre. Një pjesë tjetër që po e akuzojnë LDK-në se nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve politike, pas tri qeverish në të cilat LDK ka qenë pjesë e qeverisjes, e që flasin në emër të rugovizmit dhe që manipulojnë këtë çështje, o janë të përfshirë në forma të ndryshme në këto vrasje, o janë kaparisur dhe kanë pasur dhe kanë mision dobësimin dhe rrënimin e LDK-së, në mënyrë që të mbyllet kjo çështje. Një pjesë tjetër, kryesisht shkarravitës injorantë dhe që paguhen nga dy të parët, vazhdojnë të bëjnë atë që gjatë dhe pas luftës e bënë altoparlantët e krimit dhe apologjetët e tij: luftë speciale kundër LDK-së me qëllim komprometimin e saj, dobësimin dhe rrënimin e saj. Është edhe një pjesë e vogël e shkarravitësve që vonë ia kanë nisur të shkarravitin dhe që për vrasjet politike dinë aq sa dinë për Marsin apo Jupiterin, dhe që me vetëdie apo pavetëdie u janë bashkuar atyre që kanë qëllim dobësimin dhe rrënimin e LDK-së, si kusht për t’u mbyllur edhe çështja e zbardhjes së vrasjeve politike, dhe për t’u mbyllur edhe procesi i rrënimit të linjës liri, pavarësi, demokraci, proces që ka filluar me shfaqjen e linjës së Tiranës/Kretës, dhe për t’u përmbyllur kështu rrënimi forcave properëndimore dhe proamerikane në Kosovë.

Të gjithë këta, kanë harruar, apo edhe nuk e dinë se presidenti Rugova i ka pasur të gjitha mundësitë dhe gjithë autoritetin për të këmbëngulur në zbardhjen e vrasjeve politike,për të kushtëzuar procese dhe koalicione me zbardhjen e vrasjeve politike, por nuk e ka bërë. Nuk e ka bërë, sepse qëllimi i tij ka qenë që me çdo kusht dhe me çdo çmim të ndërtoheshin institucionet, të viheshin bazat e shtetit dhe me forcmin e tyre gradual, të zbardheshin vrasjet politike. Presidenti Rugova ka ndjerë thellë në shpirt vrasjen e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, të veprimtarëve dhe të personaliteteve të tjera publike dhe ushtarake, dhe me këtë dhimbje në shpirt vazhdonte të punonte me të gjithë për vënien e themeleve të shtetit. Kushtëzimi i këtyre proceseve me zbardhjet politike, do të kishte një hallakamë, do të kishte bllokim të Kosovës, dhe për më keq, edhe destabilizim të saj drejt një lufte vëllavrasëse. E presidenti Rugova, me të gjitha mënyrat u mundua dhe arriti që të shmangte gjakderdhjen, të shmangte destabilizimin, të shmangte bllokimin e procesit të shtetndërtimit, edhe pse përpjekjet kanë qenë të vazhdueshme, ndër të cilat edhe ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004, e të cilat patën pasoja shumë të rënda për Kosovën.

Pra, presidenti Rugova me teorinë dhe praktikën e tij, me anatominë dhe fiziologjinë e platformës së tij politiko-institucionale ka paraqitur modelin e politikanit që ka pasur parësore përmbylljen e procesit liri, pavarësi, demokraci, pra përmbylljen e ndërtimit të lirisë në kuptimin edhe filozofik, edhe psikologjik, edhe social, edhe ligjor, edhe institucional, e që nënkupton edhe lirinë që institucionet politike, ligjore, profesionale dhe kushtetuese të kryejnë punën e tyre pa trysni dhe pa ndërhyrje nga jashtë tyre, por në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, të ndërtimit të pavarësisë po në kuptimin filozofik, psikologjik, social, ligjor dhe kushtues, si mundësi për të realizuar format e ndryshme të vetëpërcaktimit individual dhe kolektiv, të ndërtimit të demokracisë si hapësirë, si formë e realizimit të lirisë dhe të pavarësisë, pra jo veç në funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe si formë që i mundëson individit dhe kolektivit të realizojë lirinë e tij dhe pavarësinë e tij në nivelin dhe vullnetin e tij individual dhe kolektiv, gjithnjë në përputhje me ligjet vendore dhe nëdkrombëtare.

Çlirimi i Kosovës, krijimi i disa forcave politike, ndërtimi i institucioneve dhe shpallja e pavarësisë nuk nënkuptojnë se ka përfunduar procesi liri, pavarësi, demokraci, por vetëm është ndërtuar anatomia politike, ligjore dhe kushtetuese për të vazhduar realizimin e këtij procesi: çlirimi nuk nënkupton edhe lirinë. Ende te ne është e pranishme ajo që Franc Fanoni e ka quajtur logjikë e robit, përkatësisht varësia e vullnetit individual, por edhe kolektiv nga vullneti dhe interesat e dyshimta të strukurave që politikën e kanë vetëm mbulesë për të fshehur angazhimet e tyre kundër lirisë, kundër pavarësisë dhe kundër demokracisë në Kosovë. Të marrim shmebull: ka që janë shumë të zëshëm në shfryrje kundër komadantëve të ndryshëm si hajna, si kriminelë dhe si uzurpatorë, por të njëjtit bien përsëri në pozitat e apologjetëve të tyre, kur ata mveshin uniformën e patriotëve. Dhe në këtë mënyrë i bëhet keq vendit, i bëhet keq ndërtimit të lirisë, i bëhet keq edhe zbardhjes së vrasjeve politike. Në anën tjetër, shumë çirren për zbardhjen e vrasjeve politike, por kur komadantë të ndryshëm akuzohen apo dënohen për krim të organizuar, të njëjtit thurin ditirmabe, për të mos thënë edhe hagjiografi për ta. Berat Buzhala, për shembull, ndërton emisione me shtab të milionerëve, por kur u arrestua Azem Syla desh i ra pika në zemër dhe nuk la gjë të zezë pa thënë kundër kryeministrit Mustafa dhe LDK-së. Edhe pavarësia, përkatësisht shtetndërtimi nuk është mbyllur, pasi që ende ka shumë elemente të shtetit që duhet të themelohen dhe të funksionojnë. Dhe këto elemente të shtetndërtimit janë vetëm elemente kushtetuese dhe ligjore të konceptit të pavarësisë, por nuk e përfshijnë në tërësi këtë koncept, sepse koncepti i pavarësisë në kuptimin filozofik, social, psikologjik është më i gjerë dhe përfshin edhe format e tilla të vetëpërcaktimit, siç është edhe vetëpërcaktimi për forma më të gjera të vetëvendosjes deri në bashkim kombëtar, apo edhe në bashkim me organizata të ndryshme ndërkombëtare, e që janë forma që kanë konotacione rajonale dhe më gjerë. Demokracia në Kosovë është duke funksionuar në kuptimin e ekzistimit të një kushtetute dhe të ligjeve që mbështesin bazat e funksionimit demokratik të institucioneve, por nuk është përmbyllur me kaq. Demokracia, në fakt, në Kosovë po ka probleme edhe në zbatimin e parimeve bazë të saj: funksionimi demokratik i institucioneve në bazë të kushtetutës dhe ligjit, që nënkupton demokracinë e drejtpërdrejtë (zgjedhjet), demokracinë përfaqësuese (përfaqësimi i grupeve etnike, shoqërore, profesionale, moshore, gjinore, shëndetësore etj., në institucione përkatëse), ndarjen e qartë të pushteteve: legjislativit, ekzekutivit dhe të drejtësisë, si dhe në vetë funksionimin e tyre.

Pra, Kosova dhe shqiptarët, në bazë të konceptit rugovian të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë kanë shumë probleme, e të cilat nuk ndikojnë vetëm në anatominë e tyre, por edhe në fiziologjinë e tyre. Së këndejmi edhe çështja e vrasjeve politike është çështje që ka vuajtur dhe po vuan pikërisht gjithë këto probleme, dhe do të marrë frymë dhe do të mund të hapet si çështje kur do të zvogëlohen problemet në procesin e lirisë, pavarësisë e demokracisë, e që janë probleme thelbësore jo vetëm në funksionimin e shtetit, të institucioneve të tij, por edhe në funksionimin e shoqërisë në tërësi. Atribuimi i çështjes së vrasjeve politike si çështje që i përket LDK-së apo që duhet ta zgjidhë LDK, e për më tepër akuzat se ajo po i keqpërdor vrasjet politike për qëllime elektorale, jo vetëm që është i paqëndrueshëm, por edhe qëllimkeq jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj vendit dhe ndaj interesave kombëtare, sepse po i abstrahon faktorët realë të këtyre vrasjeve, po abstrahon përgjegjësinë morale, shoqërore dhe njerëzore të atyre që me dëshmitë e tyre, mund të japin kontribut për zbardhjen e këtyre vrasjeve, po abstrahon të gjithë faktorët realë pengues në zbardhjen e këtyre vrasjeve, si dhe po nënkupton një raport konfliktual politik dhe shoqëror në Kosovë dhe më gjerë. E të gjitha këto janë në kundërshtim me filozofinë politike të presidentit Rugova, me natyrën e vrasjeve politike dhe në përgjithësi me interesat shtetërore dhe kombëtare të shqiptarëve, sepse nënkupton një LDK kundër të gjithëve, një LDK që bllokon proceset, një LDK që nxit konfliktualitet politik, një LDK që bie ndesh me vetë procesin e lirisë, pavarësisë e demokracisë, një LDK që konfliktuohet edhe me aleatët tanë strategjikë.

Në këtë pozitë, LDK-në e duan vetëm ata që nuk e duan Kosovën, që punojnë për interesa të të tjerëve, por edhe ata që kanë kryer krime, që kanë kapur shtetin, që po rezistojnë ndaj çkapjes së tij, që po rezistojnë ndaj funksionimit të institucioneve të shtetit, që po rezistojnë dhe po pengojnë miratimin dhe zbatimin e ligjeve të ndryshme, siç ishte edhe Projektligji për ndryshimin në Ligjin për sanksione penale, por edhe ata që kanë bashkëpunuar në vrasjet politike që nga dhënia e informacioneve, e deri te ekzekutimet  e ndryshme, si dhe ata që në fakt keqpërdorin hapësirën medietike për të zhvilluar luftë speciale kundër LDK-së, kundër Kosovës, në kuadër të të cilës bën pjesë edhe fushata kundër LDK-së lidhur me vrasjet politike.