Atdheu dhe shtëpia, Ismail Kadare dhe Luan Starova

08.02.2017 21:11:50

Virion Graci

Kërkimi i origjinës vetjake ka qenë nga shtysat e forta, dramtike e njerëzore njëkohësht, që i ka vënë shkrimtarët në ballafaqime të gjera me të kaluarën e tyre, me faktet autobiografike, me ndodhitë e ndryshme mbresëlënëse e vendimtare.

Për një pjesë shkrimtarësh, kërkimi në origjinën e tyre ka ndodhur thuajse rregullisht. I. Kadare, në vitin 1970 boton “Kronikë në gur”, në 2005 boton “Çështje të marrëzisë”, 2006 “Qyteti pa reklama” kurse në 2008 “Darka e fundit”. Secili prej tyre mbështet fuqishëm në ngjarje dhe persona realë, të njohur e të paraqitur si të tillë prej autorit. Luan Starova, shkrimtar me njohje ndërkombëtare, me origjinë shqiptare, duke shkruar maqedonisht vjen në gjuhën e origjinës me romanin “Koha e dhive”. Kthimi i L. Starovës në kujtimet e fëmijërisë është i lidhur më specifikisht me origjinën, me rrugën e vështirë që ka kaluar babai dhe familja e tij duke u larguar nga dheu amë në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, largimin në fshehtësi nga Pogradeci dhe vendosjet në Strugë e në Shkup. Në romanin e L. Starovës del në plan të parë familja, nëna, motrat, babai, përpjekjet e tyre duke nisur që nga mbijetesa si qenie të gjalla dhe përshkruhet mënyra e re e riorganizimit të jetës. Vetë mjedisi vendës, maqedonasit, të huaj dhe armiqësorë për familjen e porsaardhur nga Shqipëria, është po aq në një proces të gjatë e të vështirë riorganizimi, nën një regjim të ri shtetëror, me parime të reja ekonomiko-sociale. Futja e ish Jugosllavisë në rrugën e komunizmit ndryshon rregullat e përditshme të njerëzve. Kufizimi i pronës private, reformat e njëpasnjëshme sociale-kulturore, lënë pasoja në marrdhëniet ndërnjerëzore. Skena kryesore ku shpalosen ngjarjet dhe përthyhen fatet njerëzorë është lagjja.

Nga njësi elementare organizative e jetës urbane, lagjja bëhet makrokozmos, njësia më e madhe shprehëse në romanin e L.Starovës, vatër kuptimore ku reflektohen tendencat, ndodhitë, prirjet e përgjithshme të gjithë federatës jugosllave. Duke pasur si dekor dhe pikënisje parathënëse lagjen maqedonase, drama e familjes shqiptare arrin të rrëfehet katërcipërisht brenda mureve të shtëpisë. Atje personazhet i shprehen vetvetes, njëri-tjetrit, në formë dialogu e monologu të brendshëm. Kryetari i familjes, babai, që është i vetmi autoritet administrativ dhe udhëheqës moral për anëtarët e tjerë, kërkon nga lagjja kompromiset e para dhe bën lëshimet përkatëse. Ajo që fillon të rrudhet është shenja identitare: gjuha shqipe.

Nuk do të kenë libra shqip, as shkollë shqipe dhe komunikimi në gjuhën amatare është mundësi që ngelet brenda katër mureve të banesës. Ajo që mund t’i kërkohet anës tjetër, maqedonasve është e drejta për të mbijetuar si qenie fiziologjike, buka dhe qumështi i dhisë për të ushqyer të vegjëlit. L. Starova e rindërton artistikisht periudhën e fëmijërisë me mjetet e duhura shprehëse ku mbizotërojnë grotesku, humori i zi, rrëfimi i drejtpërdrejtë linear dhe mjete klasike të karakterizimit të personazheve. Ai kthehet në fëmijëri, shkon shumë pas në kohë për të ngritur një alibi e një akuzë kundër rrethanave të cilat ia zvetënuan identitetin e vërtet. Nga përplasja midis një familjeje dhe një shteti në situatë lufte etnike e politike, kuptohet lehtë se cila palë do të tjetërsohet e do të zhytet pak nga pak në një rehati anonimati. Metamorfozën e pësuar në identitet, njëri nga anëtarët e familjes, romancieri L.Starova e përdor artistikisht duke e bërë figurë bazë të strukturës romanore: groteskun. Romancieri, nëpërmjet groteskut, identitetin e diktuar nga rrethanat shtërnguese, e zhvesh nga pompoziteti, nga përmasa serioze-autoritare, e ul prej fronit emancipues ku e ka çuar propaganda e shtetit totalitar dhe e paraqet ashtu si ishte për njerëzit e “huaj”, i dhunshëm dhe butaforik.

Kthimet dhe kërkimet periodike në qytetin e origjinës për I.Kadarenë nuk kanë të bëjë me rrugën e posaçme të familjes së tij, as me identitetin vetjak. I.Kadare, është shprehur në shumë raste se ka dashur të rindërtojë një Shqipëri që po zhdukej e tëra prej regjimit komunist. Pak nga jeta mondane e periudhës së mbretërisë, nga koha e aeroporteve civile, ku nuk kish vetëm delegacione qeverish e zyrtarë të veshur me të zeza, por njerëz të zakonshëm që prisnin e përcillnin njëri-tjetrin; çifte të dashuruarish që vinin aty me tufa lulesh si dhuratë; nostalgjia për librat e vjetër, për plakat e jetës dhe për ato rituale të jetës modeste qytetare që, jeta e re socialiste u kish shpalluar luftë, për t’i fshirë si mbeturina të së kaluarës këto janë ato gjëra që kërkon të shpëtojë nga harresa, Kadare.

“Koha e dhive” është i dyti në korpusin romanor prej dhjetë librash të L. Starovës, i titulluar Saga ballkanike ose “Kështjella prej hiri”. Romanet e tij janë mirëfilli romane të kërkimit të identitet vetjak, familjar dhe etnik; në gjirin e një qyteti shumë etnik; në përbërje të një republike federative me gjashtë popuj; nën një besim të ri të panjohur: ideologjia komuniste; në marrëdhënie social-ekonomike, të paimagjinueshme më parë. Kthimi i barinjve dhe bujqve në klasë punëtore, shoqërur me tufëzimin dhe asgjësimin e dhive, jep dramën dhe absurdin e politikës që synonte prishjen e rendit natyror të planetit, sikurse shprehet autori. Kryeqyteti i repubilkës jugore mbushet me dhi, ato bëhen faktor mbijetese, prej qumështit të tyre mbijetojnë fëmijët e porsalindur. Pa ironi koha e ngjarjeve quhet koha e dhive. Dëbora, mbijetesa fiziologjike, përfshirja me të drejta të njëjta me bashkësinë vendase, kalon nëpërmjet unifikimit me botën e dhive, nëpërmjet blerjes dhe mbajtjes në shtëpi të një dhie, si gjithë të tjerët. Prova autobiografike në këtë roman të suksesshëm në nivel europian jepet nëpërmjet emrave realë të familjes së autorit: Luani, Vullneti, Drita, Urimi, Agimi, Jeta… por më i rëndësishëm është kërkimi i identitetit shpirtëror dhe etnik.

“Të ardhur së voni, me një gjuhë dhe besim tjetër, por nën të njëjtën ideologji, të ngarkuar me libra, thjesht si të ishim hedhur në këtë qytet buzë lumit, ne për një kohë të gjatë kishim mbetur si një ishull i vetmuar”149. Autori rrëfimtar, duke e parë historinë e familjes së tij me sytë dhe logjikën e një fëmije, dimensionin diakronik të saj ia beson të atit. Niveli kulturor, peripecitë e jetës plot me shtegtime e shpërngulje për shkak të luftërave ballkanike, e lejojnë babain e autorit që të mbajë e të rrëfejë gjithë barrën e trashëgimisë dramatike të famijes:

 “Mendimet e tij përfundonin te liqeni i madh në brigjet e të cilit kish rrjedhur fëmijëria dhe rinia e tij e ku shpresonte të kthehej në pleqëri. Shpresë mashtruese ballkanike”.

Tëhuajësimi shekullor i familjes shqiptare në një mjedis me prirje armiqësore, asimiluese dhe ksenofobe, jepet po ashtu nëpërmjet bjerrjes së indentitetit nga ana e kryetarit të familjes, babait. Megjithëse poliglot në një lagje dhiarësh, megjithëse me universitet në një lagje analfabetësh, ai struket në gjuhën e tij të brendshme, nuk ka dobi praktike ta shpalosë unin e tij. Përkundrazi bëhet i paditur, mbyllet në vetvete, në librat e vjetër, në nevojat ditore të familjes. “Duket se ai zotëronte një gjuhë të brendshme të vetën, së cilës ia besonte nga ato mendimet e tij që ishte më pak e mundshme të gjenin shprehje me ndonjërën nga të folmet me të cilat komunikonte me botën”.

“Koha e dhive”, megjithëse i dalë qartësisht nga një qerthull familjar autobiografik, bëhet përnjëherësh sintezë e pozitës së vështirë kulturore e ekonomike të shqiptarëve në ish -Jugosllavi. Njësia e ngjizjes së këtij romani provohet se është familja e autorit, periudha e fëmijërisë, largimi i dhimbshëm nga Pogradeci që po shkatërrohej nga lufta botërore në vitin 1942 dhe përpjekjet për mbijetesë në Strugë dhe në Shkup, por, këndshikimi vetjak, intim, përfshin analogjikisht gjendjen e nëpërkëmbur të gjithë shqiptarëve në republikat jugosllave. Jo vetëm gjatë situatave tipike militare, por edhe në paqe, gjatë ndërtimit të socializmit, shtypja, tjetërsimi identitar vazhdojnë me të njëjtën ashpërsi, por me mjete të tjera politike e administrative, më të sofistikuara. Përgjimet e fshehta, shpronësimet e dhunshme shtetërore, akuzat dhe gjyqet popullore në ruajtje të rendit të ri federativ janë fuqia e re e madhe, të cilën familja shqiptare, nëpërmjet kryetarit të saj, babait, duhet të përballojë. Fataliteti kolektiv jepet nëpërmjet pranimit të së keqes nga secili individ, prej nënshtrimit pa zë ndaj rrethanave të disfavorshme, me orientimin ndaj nevojave të përditshme tokësore duke lëshuar pjesë të unit, të identitetit.

Sipas tij nuk ishte punë me mend të përziheshe në punët e vendësve”.

Motivi i vetmisë e izolimit si individualitet njerëzor dhe etnik thellohet duke përfshirë në lojën e fatit solidaritetin me kafshët e buta.

“Babai nuk kishte as prindër as të afërm, me përjashtim të dhive”.153 Regjimi politik hyn brutalisht në jetët e njerëzve, dhitë janë viktima të marrëzisë njerëzore, por edhe korrigjuese të padrejtësive: falë tyre njerëzit ndërlidhen më mirë me njëri-tjetrin, mirëkuptohen, sigurojnë mbijetesën. Dilema e shqiptarëve, përgjithësisht, muri ndarës midis tyre dhe fqinjëve sllavë, jetesa e tyre nën kushte të vështira shprehjeje kulturore dhe vijimësie fiziologjike, jepet nëpërmjet figurës kryesore të romanit, babait i cili bëhet mbarëtës i fatit të etnisë:

“Babai nuk ishte trembur aq nga kariera e mëtejshme e të birit në parti, sesa nga paaftësia e tij për të kuptuar vetveten dhe i kërkonte arsyet e asnjanësisë së vet të vazhdueshme në prirjen e përhershme për kompromis-kaq karakteristike për gjendjen e tij si emigrant…”154. Origjinaliteti i romanit buron nga shtjellimi me ngjyra sarkastike të temës së qëndresës: “Frikës se mos na vdiste babai dhe nëna, na u shtua dhe frika se mos na vdiste dhia jonë e vogël”. Te ky roman nuk kemi kundërvënie të ashpra trimash dhe ushtrish: dorëzimi, bashkëjetesa me palën e kundërt, vuajtja e përbashkët nën një ideologji të re totalitare e harmonizon lëndën letrare, e natyralizon historinë e ndërlikuar shqiptaro-sllave, e universalizon përvojën intime, familjare duke e sjellë në kufijtë e gjasës kolektive, në kufinjtë e së mundshmes. Për këtë flet edhe episodi me mësuesin maqedonas, fati i të cilit nuk ndryshon nga fati i dijetarit shqiptar Starova: “Mësuesi ynë kishte tre fëmijë dhe një dhi të vogël Miroshen”.“Përse nganjëdhimtarët e rinj po i godisnin dhitë, këto kafshë të shenjta për gjithë të mjerët e Ballkanit”157. Pasi shtohen kërkesat për shtetëzimin e dhive, dorëzimin e tyre në duart e autoriteteve federale, mësuesi arratiset bashkë me to, as shkrirja e akujve në verë nuk e zbulon më vendndodhjen e tij dhe të dhive që kishte me vete.Mirëpritur nga shtypi i specializuar në Francë, vlerësuar si romani më i mirë i huaj, për vitin 1997, “Koha e dhive” vlerësohet si rrëfim grotesk dhe poetik, njëkohësisht. Shtojmë se ligjërimi i ndjerë poetik dhe vizatimi grotesk i mjaft skenave dhe personazheve te “Koha e dhive”, janë bërë të mundura të realizohen me sukses prej vetë natyrës së veçantë të lëndës origjinale. Dramatikja dhe grotesku janë dy kategori estetike larg njëra- tjetrës, vetëm arti që buron prej realitetesh të tillë, paradoksalë dhe dramatikë njëkohësisht, mund t’i afrojë në shprehje të përbashkëta dramatike e groteske kujtimet e trishta dhe shëmtinë e periudhës së fëmijërisë, e cila, në rrethana normale, mund të kish qenë e bukur edhe për shkrimtarin Starova.

Nëse L. Starova i kthehet fëmijërisë për të shpalosur rrethanat e metamorfozës identitare të familjes së tij, mes një mjedisi me politika represive, asimiluese, Kadare, në një nga romanet e fundit, te “Çështje të marrëzisë”, e shikon shtëpinë e babazotit si një miniaturë të Shqipërisë. “Çështje të marrëzisë”, është nga romanet e shkurtër të I.Kadaresë, që përmban një numër relativisht të pakët ngjarjesh, por më shumë se çdo vepër e mëparëshme letrare nga ky autor e, në krejt letërsinë shqipe, jep transformimin e thellë, të gjithanshëm të ndodhur në shoqërisë shqiptare: komunistifikimin e saj. Familja e babazotit, si miniaturë alegorike përfaqëson Shqipërinë që prej vitit 1945; në mënyrë të drejtëpërdrejtë kthehet në pasqyrë të atyre ndarjeve e prirjeve, me nxitje e synime politike që po ndodhin në Shqipërinë e pasluftës së dytë botërore prej ideologjisë dhe shtetit totalitar.

Së pari: Partia Komuniste dhe Shqipëria. Ngjarja fillestare me të cilën nis konflikti bazë romanor është përpjekja për vetvrasje e dajos së vogël. Përpjekjet për vetvrasje zbulojnë një realitet kompleks: partia komuniste shqiptare në pushtet qëndronte ende në ilegalitet, sipas porosive diktuese të Titos. Zbulimi i teserës së partisë përbën herezi, e kjo e detyron dajon të mendojë vetvrasjen. Më vonë ndodh që Titoja të urdhërojë daljen e partisë komuniste shqiptare nga ilegaliteti dhe të deklarohet forcë e vetme udhëheqëse e vendit, sikurse ishte. Kjo e çliron dajon e vogël nga drama e vetvrasjes për shkak zbulimit të teserës dhe e rikthen atë te drama personale, ajo e rënies së flokëve.

Së dyti: familja dhe drejtuesi i saj. Figura e babazotit që përfaqëson autoritetin e vetëm në familje, drejtues i saj, pronar tokash, prind e dijetar, në rrjedhën e ngjarjeve perceptohet nga autori-rrëfimtar, si udhëheqësi i parë i shtetit shqiptar, si shpallësi i pavarësisë, Ismail Qemali. Iliri, shoku i fëmijës rrëfimtar, këmbëngul gjithashtu për babazotin e Kadaresë “ky është ai plaku që ngriti flamurin në Vlorë”. Lajtmotiv i romanit bëhet shprehja: babazoti u mat të thoshte diçka, por heshti….si zakonisht– e vërejtur në çdo rast konflikti në familje.

Së treti: forma ekonomike e rregjimit. Gjyshit do t’i marrin tokat. Hallë Xhemua do ta përjetojë si tragjedi hapjen e mensave sociale, babain e tij I. Kadare do ta përshkruajë si… mbajtës të kasketës së re proletare.

Së katërti: forca kryesore lëvizëse, lufta e klasave. Hendeku i pakapërcyeshëm klasor midis komunistëve dhe jo komunistëve gjen shprehjen e qartë me dy dajat e autorit, djemtë e babazotit; Isai dhe Javeri, të njohur që nga “Kronika”, te “Çështje të marrëzisë” paraqiten në mënyrë eufemike: dajua i vogël dhe dajua i madh.

Së pesti: thundra ideologjike. Feja dhe Partia komuniste jepen me pak detaje të gjetura; vëllai i krishterë i gjyshit musliman, Dom Zef Dobi që pritet të vijë në rast se në shtëpi do të ndodhë zezona dhe pranimet e reja në parti.

Së gjashti: revolucionarizimi i jetës. Transformimi i zakoneve të përditshme të jetës qytetare jepet me disa shembuj: frëngjishtja e dalë mode dhe sjelljet e ndaluara të Madamës, (Makbule Shtinos); rrahja e profesorëve të latinishtes dhe evokimi i gjuhës ruse, si shenjë e nënshtrimit politik e kulturor ndaj atdheut të revolucionit proletar; ndryshimi i veshjeve dhe kapelave; lufta kundër të quajturave mbeturina mikroborgjeze etj.

Krahas elementëve tipikë të Gjirokastrës së kohës për të cilën rrëfen autori: hapsana, ahengu me jevgjit, burgu i shtëpisë, argatët dropullitë, përshkrimet autentike nga krahinat rrotull si Lunxheri, Labëri, Lazarat, etj, realizohet një shtresë përgjithësuese kuptimore. Midis librave të babazotit I. Kadare vendos edhe libra nga Anton Harapi, nga Zigmund Frojd, etj, pa mundësi të gjasës reale. Babazoti vdes, duke u matur të thotë diçka, por pa mundur të flasë, si gjithmonë. I merr me vete në varr të fshehtat dhe zbulimet e tij. Librat e autorëve të tij të zgjedhur i djegin: A. Harapin, Z. Frojdin, etj. Jemi sigurisht para një procedimi artistik; është një proces i qëllimshëm transpozimi i kryer midis trillimit dhe zhvendosjes së fakteve reale, sikurse ndodh dhe me “shpikjen” e vëllait të paqenë të babazotit, Dom Zef Dobit. Figurativisht, mund të pohojmë se autori, në skenën e vogël të shtëpisë së babazotit, ngjit aktorët dhe rrethanat historike që përcaktuan fizionominë e Shqipërisë për gjysëm shekulli rregjim komunist. Në këtë vepër të arrirë, sikurse dhe në një sërë librash të tjerë, I. Kadare, po të perifrazonim atë vetë, ka bërë në prozë romanore autobiografinë e popullit shqiptar.