ATDHEU /Vargje nga Ilirian Zhupa

01.12.2020 22:44:30
ATDHEU
Për mua, fëmijën, atdheu ishte zëri i nënës,
Krahët e fuqishëm të babait, kur më ngrinte drejt llampës,
Përrallat e gjyshes për ujkun dhe qengjin
Dhe ato pak metra katërorë të dhomës.
Çdo ditë, si për çudi, ai zgjerohej para meje,
Zbriste shkallët e shtëpisë dhe bëhej udhë,
Fluturonte me zogjtë e shumtë dhe bëhej çerdhe,
Gurgullonte me përroin e vogël dhe bëhej lumë.
Pikërisht, atëherë morëm rrugën e qytetit,
Unë shqyeja sytë mbi samarin e mushkës, pyesja si fëmijë që isha:
-Shtegu i pjerrët, malet e larta, njerëzit,
Ishin atdheu të gjitha?!..
U deshën shumë vjet që ta kuptoja atdheun,
Gjerësinë e tij, njerëzit, gjuhën, këngët,
Udhën ku ecte, qëndresën, armiqtë,
Të gjallët dhe të rënët.
E megjithëse mësova kaq gjëra, prapë në mendje më mbeti,
“Atdheu i parë”, zëri i nënës, lojnat, përrallat e gjyshes…
Dhe që e gjeta atë te të gjitha këto, vërtet,
S’ka asgjë të çuditshme.