Atë Justin Rrota në përvjetorin e lindjes

18.02.2017 22:17:27

Duke shfletuar kalendarin historik më 17 shkurt, kujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanit shqiptar Atë Justin Rrotës, i cili lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër. Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë.

Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare. Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.  Atë Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit 1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator. Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.

Kontributi i Atë Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe.