Atentatet ndaj drejtuesve të policisë shqiptare, këto janë gjashtë vrasjet më të bujshme

11.04.2017 19:20:20

Artan Cuku është një ndër komisarët e vrarë përgjatë viteve nga krimi në Shqipëri. Shumë drejtues të policisë kanë qenë shënjestra të të atentateve të krimit.

Me vrasjen e Cukut, numri i drejtuesve të policisë të mbetur të vrarë shkon në 6, ku më i bujshmi ishte atentati që iu bë komisar Dritan Lamajt pranë banesës së tij.

Për këtë vrasje u arrestua Arben Frroku që fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të rënda, ndonëse apeli e dënoi me burgim të përjetshëm, por Frroku u largua drejt Holandës ku edhe sot është i ndaluar në Holandë dhe priten procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.

Në 2 gusht 2000 vritet Drejtori i policisë Shkodër Arben Zylyftari

Admir Tafili dhe Genci Tafili në vitin 2000 kanë vrarë Kolonel Arben Zyliftarin, që në atë kohë ishte Drejtor i Policisë në Shkodër. Vrasja ndodhi pasi u krye një operacion për kapjen e Bahri Tafilit.

Në 30 dhjetor 2000 në Vlorë vritet Komisiari Ilir Ngresi

Në Vlorë është vrarë Komisar Ilir Ngresi. Për shkak se hapi disa dosje për krimet e kryera në Berat dhe në Urën Vajgurore, ndaj komisarit u organizua një sulme nga Dritan Zhuka, i cili u vra nga Policia në vitin 2001.

Në 6 gusht 2003 në Durrës vritet Komisar Gani Malushi

Shefi i komisariatit të Fushë-Krujës Gani Malushi u qëllua me një breshëri plumbash, duke i shkaktuar vdekjen. Shkak i kësaj vrasje ishte gjakmarrja dhe shënjestra ishte shoferi i Gani Malushi. Për vrasjen është dënuar me burgim të përjetshëm Agim Pepa.

Më 13 shtator 2012 vritet në Shijak Komisar Adem Tahiraj

Shefi i Komisariatit të Shijakut është qëlluar me një breshëri automatiku. Vrasja e Komisarit ndodhi për faktin se ai ndaloi për kontroll makinën e nipit të Ilir Xhakjës, një personazh të lidhur me botën e krimit.

Në 25 shkurt 2013 në Tiranë u vra Komisar Dritan Lamaj

Një ndër vrasjet më të bujshme të ndodhura në Shqipëri është edhe ajo e shefit të komisariatit nr.6 në Tiranë. Dritan Lamaj u qëllua me breshëri automatiku në makinën që ai po parkonte pranë banesës së tij. Për këtë vrasje u arrestua Arben Frroku që fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të rënda, por apeli e dënoi me burgim të përjetshëm. Arben Frroku sot është i ndaluar në Holandë dhe priten procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.

Në 8 prill 2017 në Tiranë vritet ish komisari Artan Cuku

Pak ditë më parë i është bërë atentat edhe ish-komisarit Artan Cuku. Ai u qëllua pranë banesës së tij në Tiranë. Policia dyshon se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë, për faktin se pasi e ka qëlluar me plumba në trup, vrasësi e ka qëlluar edhe në kokë. Policia po heton disa pista, mes tyre edhe dosjet që Artan Cuku ka hetuar në kohën që ka qenë drejtues policie në Vlorë, Fier dhe në Tiranë.