Atentati ndaj Maduros, arrestohen 6 “terroristë” në Venezuelë

06.08.2018 11:19:43

Ministri i Brendshëm venezuelian, Nestor Reverol, ka bërë të ditur se janë gjashtë “terroristë” të mundshëm të arrestuar për atentatin e dështuar të realizuar të shtunën me dronë eksplozivë në Karakas kundër presidentit Nicolas Maduro. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministri në një ndërhyrje në televizionin shtetëror. Reverol ka shtuar që janë identifikuar “plotësisht, autorët, materialet dhe porositësit” si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe se nuk përjashtohen arrestime të tjera në orët e ardhshme.

“Kemi deri tani gjashtë “terroristë” dhe vrasës të arrestuar si dhe mjete të ndryshme të sekuestruara”, – ka saktësuar, duke vijuar se “janë realizuar bastisje të ndryshme në hotele të kryeqytetit, ku është bërë e mundur të mblidhen prova të rëndësishme me natyrë kriminale, si dhe video të mundshme të bashkëpunëtorëve të këtij akti”.