Atifete Jahjaga:Kosova të përfshihet në Agjendën për Siguri të BE/së

25.04.2017 17:13:30

Bashkimi Evropian duhet ta forcojë rolin e tij në rajon dhe të ketë një qasje të unifikuar, pasi agjendat nacionaliste dhe ekstremiste të disa forcave në Ballkanin Perëndimor po vënë në rrezik të gjithë përparimin e arritur deri më sot, ka thënë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Tryezën e Rrumbullakët për Siguri në Evropë që u mbajt në Maltë.

Ajo ka përmendur se fuqizimi i Shtetit Islamik, sulmet kibernetike, aktivizimi i ri i Rusisë, interesat e paqarta të Turqisë në rajon, riprodhimi i armëve bërthamore, migrimet masive dhe ndryshimet klimatike janë vetëm disa nga çështjet që figurojnë në listën e gjatë të kërcënimeve për sigurinë e rajonit, çështje të cilat sipas saj kërkojnë veprim të bashkuar të BE-së dhe NATO-së.

“NATO dhe BE-ja kanë demonstruar përkushtimin e tyre për mbajtjen e një rajoni të sigurt për dekada të tëra duke u dhënë fund luftërave në Bosnjë e Kosovë”, u shpreh Jahjaga, duke shtuar se Kosova duhet të përfshihet në agjendën për siguri të BE-së.

Për më tepër, Jahjaga ka theksuar se ringjallja nacionaliste e Rusisë po ndikon mbi Serbinë- aleatin më të fuqishëm të saj në Ballkan-  duke prodhuar një luftë jo-lineare që po ripërtërin tensione në rajon, gjë e cila është duke u shkaktuar shumë pasiguri fqinjëve të saj.

“Sjellja dhe diskursi i Serbisë, qasja e saj ndaj fqinjëve, standardet e dyfishta që po përdor në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si dhe mungesa e përkushtimit të saj për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, janë duke penguar përpjekjet tona për të kthyer normalitet në rajon. Përmirësimi i raporteve ndërmjet shteteve të rajonit, veçanërisht në mes të atyre që dikur ishin në luftë me njëri-tjetrin, duhet të bëhet përkushtim dhe kusht për anëtarësim në BE. Por, fatkeqësisht ideja për, siç quhet, Evropën “multi-speed” e që duket se po bëhet realitet në rajonin e Ballkanit mund të dëmtojë tmerrësisht shumë vendet më të vogla si Kosova në periudhën afatgjatë”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj, qëllimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në BE, por me lodhjen nga zgjerimi, dhe një mbështetje në rritje për një Evropë “multi-speed”, Brukseli rrezikon të bëjë hapa mbrapa.

“BE-ja dhe rajoni po përballen me shumë sfida si mungesa e koherencës dhe unitetit politik, buxheti i kufizuar, mungesa e resurseve. Por, ne nuk duhet të lejojmë që këto çështje të kompromitojnë ose minojnë progresin e madh që kemi arritur së bashku”, ka thënë ndër të tjera Jahjaga.