ATK-ja dënohet me 5 mijë euro për largimin nga puna të Shaqir Totajt (Dokument)

03.02.2018 21:21:15

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është dënuar me 5 mijë euro, për largimin nga puna të menaxherit në Prizren, Shaqir Totaj.

Për të njëjtin rast është dënuar edhe drejtori i përgjithshëm i ATK-së në Prishtinë, S.I. me 1,000 euro.

Aktvendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) me seli në Prishtinë, si person juridik, i shqiptohet gjoba në të holla në shumën prej 5,000.00 (pesë mijë) eurosh, ndërsa për shkak të mos veprimit drejtori i përgjithshëm i ATK-së S.I. në shumën prej 1,000 euro”, thuhet në aktvendimin e gjyqtarit Agron J. Hoxhaj të  Gjykatës në Prizren, shkruan “PrizrenPress”.

Shaqir Totaj ishte shkarkuar për të dytën herë nga pozita e menaxherit regjional të ATK-së në Prizren, në vitin 2015.

Totaj, vitin e kaluar ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit. Ai humbi garën zgjedhore në balotazh.

Gjykata Themelore në Prizren, ndërkaq në aktvendimin dënues, detyron ATK-në që Totajn ta kthejë në vendin e tij të punës.

“Nëse ATK dhe drejtori përgjegjës, vazhdojnë të mos veprojnë sipas detyrimit që rrjedh për të njëjtët e të përshkruar si në pikën I të dispozitivit të këtij aktvendimi, të njëjtëve do t’u shqiptohet gjoba e përsëritur por edhe në shumën edhe më të madhe se sa ajo e shqiptuar deri më tani”, thuhet në aktvendim të Gjykatës në Prizren.

Shaqir Totaj ishte shkarkuar për të dytën herë nga pozita e menaxherit regjional të ATK-së në Prizren, pavarësisht se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e kishte kthyer atë në këtë pozitë, duke hedhur poshtë vendimin për shkarkim.

Këtë veprim, i dëmtuari Shaqir Totaj e pati vlerësuar të qëllimshëm dhe të pabazuar në fakte.

Ai, nuk arriti asnjë ditë ta gëzojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civilë, i cili e ktheu atë në pozitën e mëparshme si menaxher rajonal i ATK-së në komunën e Prizrenit.

Ndërkaq, Tota të drejtën e tij e vazhdojë ta kërkojë në organet e drejtësisë, duke paditur ATK-në.