Aubameyang është “Ronaldo”, jo “Benzema”

15.02.2017 19:52:40

Performanca e së martës mbrëma e Pierre-Emerick Aubameyang-ut në Champions League kundër Benfica-s la për të dëshiruar. Sulmuesi i Dortmundit humbi disa raste të pafalshme dhe një penallti në “Estadio da Luz”. Kështu, menjëherë u rikthyen dyshimet, nëse gabonezi mundet apo jo të luajë te Real Madrid, skuadra e tij e ëndrrave. Natyrisht, me një ndeshje nuk mund të gjykosh sa vlen një lojtar, kështu që spekulimet për kalimin e 28-vjeçarit në “Santiago Bernabeu” vijojnë të qarkullojnë.

Goal.com” sot serviri një tezë, e cila nxit diskutime. Sajti i njohur i futbollit argumenton se Aubameyang në Madrid do të ishte pasuesi i yllit Cristiano Ronaldo dhe jo i francezit Karim Benzema. Meqë portugezi, i cili ka shënuar 274 gola në 245 paraqitje me fanellën e bardhë, është 32 vjeç, hierarkia madrilene duhet të mendojë si ta “sfumojë” largimin e pritshëm të tij (apo thjesht rënien). Aubameyang ngjan shumë me të. Atij i pëlqen të sulmojë duke e marrë topin nga krahu i majtë dhe ka një shpejtësi marramendëse.

Nuk mbyllet me kaq. Ish-milanisti është si Ronaldo edhe në shifra. Këtë sezon ai ka shënuar 17 gola në Bundesligë dhe katër në Champions League. Kampioni i Evropës, ndërkohë, aktualisht është në kuotën e 14 golave në La Liga dhe dy rrjetave në kompeticionin evropian. Numri i asisteve për këtë sezon është i njëjtë për të dy, pesë. Ata nuk përpiqen të driblojnë, duan gola. Cristiano është më i fuqishëm, kurse Aubameyang më dinamik. Në fund, vendimi i takon trajnerit Zinedine Zidane.