“Australian Open”, rikthehet “El Clasico”, Federer-Nadal

27.01.2017 15:13:01

Nadal do të kthehet të luajë një finale “klasike” të Australian Open pas tri vitesh. Në 2014-ën tenisti spanjoll është mundur në aktin e fundit të Grand Slam-it nga zvicerani Stan Wawrinka. Edhe këtë herë kundërshtari i tij në finale do të jetë zviceran dhe është një Rival që rafa e njeh shumë mirë. Bëhet fjalë për Roger Federer, i cili ka eliminuar pikërisht Wawrinkan në gjysmëfinale në pesë sete. Po aq sa i janë dashur sot spanjollit për të kaluar 25-vjeçarin Dimitrov.

Ndeshja e sotme ka zgjatur më shumë pesë orë e një minutë, me Rafa Nadal që ka fituar me lehtësi setin e parë, me rezultatin 6-3. Por ky ka qenë i vetmi set që është dominuar nga njëri prej tenistëve, pasi katër setet e tjerë kanë qenë të luftuar deri në game-in e fundit. Tenisti bullgar, numri 15 i renditjes botërore, ka fituar të dytin me rezultatin 7-5, ndërsa Nadal është kthyer në avantazh duke fituar të tretin 7-6 me tie- break.

Kundërpërgjigja e Dimitrov ka ardhur në të katërtin, që ka fituar gjithashtu 7-6 me tie break. Në setin e pestë, pas një barazie totale 4-4, Rafa Nadal ka arritur të thyejë shërbimin e bullgarit në game-in e nëntë, duke shkuar në 5-4. Në game-in pasues, numri nëntë i renditjes botërore nuk ka gabuar dhe ka prerë biletën për në finale, që do të jetë e 21-ta në karrierën e tij, në një turne Grand Slam, me spanjollin që ka fituar 14 nga 20 finalet e mëparshme. Në koleksionin e tij, Rafa ka edhe një triumf në Australian Open, të arritur në 2009-ën pikërisht kundër Roger Federer, i cili do të ketë mundësinë të hakmerret ditën e nesërme, në atë që pritet të jetë një finale legjendare.