Austria mposht Gjermaninë para Botërorit, rikthehet Neuer

03.06.2018 00:08:23

Joakim Low ka arsye për të qenë i shqetësuar, pasi kur kanë mbetur vetëm 12 ditë nga starti i Botërorit, Gjermania e tij nuk duket aspak gati për të mbrojtur titullin kampion.

Në miqësoren e sotme ndaj Austrisë, “Pancerat” u mposhtën me përmbysje me rezultatin 2-1, ndërsa e vetmja shenjë e mirë ishte rikthimi i Manuel Neuer, që tregoi se pavarësisht kohës së gjatë jashtë fushave, vijon të jetë nga më të mirët në katërkëndëshin e portës.

Në një takim që filloi pas rreth 1 orë e 40 minutash me vonesë, për shkak të reshjeve të shumta të shiut në Klagenfurt, Gjermania e e nisi mjaft mirë lojën dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 11’.

Mesut Ozil u shërbye mirë në zonë dhe goditi bukur me të majtën, duke mposhtur portierin austriak dhe kaluar në avantazh kampionët në fuqi të botës, rezultat me të cilin përfundoi edhe pjesa e parë.

Në 45-minutëshin e dytë, austriakët e shtuan ndjeshëm presingun dhe arritën të shënojnë dy herë, filimisht me Hinteregger dhe më pas me Schopf, ndërsa patën edhe të tjera mundësi të mira, por që u neutralizuan nga Neuer.

Kujtojmë që Gjermania nuk ka fituar asnjë ndeshje për këtë sezon, teksa që pas fitores ndaj Azerbajxhanit, sot regjistroi ndeshjen e 5-të pa shkuar te suksesi.