Austria vazhdon mbështetjen për Kosovën

24.07.2018 19:20:50

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në një takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler dhe atashenë e re policore në kuadër të Ambasadës austriake, Dalia EL-Hennaiw.

Gjatë takimit ministri Gashi e njoftoi ambasadorin austriak për prioritetet dhe proceset nëpër të cilat po kalon MPB, ku u diskutua gjithashtu edhe për rëndësinë e forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit me qëllim të luftimit të krimit të organizuar.

Ministri Gashi, e falënderoi ambasadorin Pfandler për përkrahjen që ka dhënë Republika e Austrisë në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë në projekte konkrete për ngritjen e kapaciteteve për zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe agjencitë tjera të MPB-së.

Në anën tjetër, ambasadori Pfandler theksoi se qeveria e Austrisë do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, veçanërisht me institucionet e sigurisë.