Autobusët e rinj në dhjetor, ‘Trafiku Urban’ ende nuk është gati

26.10.2016 09:51:20

Pjesa e parë prej 30 autobusëve do të vijë në dhjetor të këtij viti ndërsa pjesa tjetër prej 21 sosh do të vijë në janar të viti të ardhshëm.

Edhe pse projekti për blerjen e 51 autobusëve për Komunën e Prishtinës ka përfunduar dhe autobusët pritet që shumë shpejt të lëshohen në qarkullim, procesi ende nuk kanë përfunduar. Komuna e Prishtinës  ende nuk e ka përfunduar planin e mobilitetit.  Ndërsa Adonis Tahiri, zëdhënës në komunën e Prishtinës, ka thënë për zeri.info se tani po bëhet plani i ri i mobilitetit, nga një kompani Angleze, ku do të përcaktohen edhe pjesët e qytetit që do të mbulohen nga këta autobusë.

“Procedurat e tenderimit kanë përfunduar muaj më parë. Tani po bëhet plani i ri i mobilitetit urban nga kompania përkatëse angleze. Me përfundimin e këtij plani të mobilitetit do të saktësohet koha e fillimit të përdorimit të atyre autobusëve si dhe pjesët e qytetit që do të mbulohen nga ata. Përndryshe, një numër i autobusëve do të vijnë deri në fund të këtij viti, kurse pjesa e mbetur në fillim të vitit të ardhshëm.”, ka thënë Tahiri.

Edhe pse është parapa sistemi i ri i biletimit, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë nevojë që të paguajnë bileta sa herë ti ndërrojnë autobusët por biletën e njëjtë mund të shfrytëzojnë për dy orë në gjithë autobusët urbanë, ende nuk është bërë e ditur nëse do të ketë ndërrim të çmimit të biletave.

“Në momentin kur të përfundohet integrimi i të gjitha linjave në sistemin e ri të biletimit, do të përcaktohet edhe çmimi i saktë i biletës”, ka thënë Tahiri.