Autobusi që transportonte turistë kinezë pësoi aksident, katër të vdekur dhe shumë të lënduar

21.09.2019 10:46:04

Në aksidentin që pësoi një autobus që po transportonte turistë kinezë në Utah të Shteteve të Bashkuara, gjetën vdekjen katër persona, derisa shumë të tjerë mbetën me lëndime të konsiderueshme.

Brenda ndodheshin 30 persona, përfshirë edhe shoferin, kur autobusi “doli nga rruga dhe u rrotullua në mbrojtëset anësore”

“Lëndime kritike” thuhet se kanë pësuar 12 deri në 15 të pranishëm, derisa dhjetë të tjerë kanë vetëm lëndime të lehta. Të gjithë janë dërguar në spitalet e zonës, disa prej të cilëve janë transportuar edhe me helikopter.

Imazhet e siguruara nga CNN, tregojnë të plagosurit në mes të rrugës, derisa autobusi ende ndodhej i përplasur në rrethoja dhe me shumë mbetje të shpërndara anash.

Punonjësit e një hoteli në afërsi, që njohin gjuhën kineze, iu kanë ndihmuar ekipeve emergjente, që të përkthejnë për turistët kinezë.

Deri më tani, nuk dihen rrethanat e sakta të aksidentit, derisa po bëhen përpjekje që të zbardhen arsyet e ngjarjes.