Autogoli i Aleksandër Vulinit lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt

06.01.2017 16:18:02

Nga Rexhep Kastrati

Aleksandër Vulin i njohur për provokimet e tij të mëhershme, por edhe me kërkesën për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, ka bërë sot një atutogol nga korneri lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt. Ai, ndër tjerash ka thënë se Prishtina nuk e kupton se drejtësia nuk ka të bëjë me politikën, duke dhënë  mundësinë që edhe institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së Kosovës të arrestojnë sa të munden serbë të akuzuar për krime lufte, apo edhe për ndonjë vepër tjetër, dhe reagimeve të Beogradit t’u përgjgjen: Beogradi nuk e kupton se drejtësia nuk ka të bëjë me politikën. Mirëpo, është vetë Beogradi që ka politizuar në çdo rast drejtësinë, dhe çdo gjë ligjore që ka pasur të bëjë me serbët, e ka quajtur si hakmarrje të shqiptarëve, si rrezikim të serbëve në Kosovë etj. Edhe rastin e gjykimit të Oliver Ivanoviqit për krime lufte, Beogradi e ka pas politizuar skajshmërisht. Dhe tash me një deklaratë të tillë, Vulin, dhe nëpërmjet tij edhe Beogradi, ia kanë dhënë mundësinë Prishtinës,  që t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë, pra që çdo reagimi të Beogradit lidhur me arrestimet e serbëve të akuzuar për krime lufte nga institucionet e Kosovës, t’i përgjigjet: drejtësia nuk ka të bëjë me politikën.

Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt, Aleksandër Vulin besoj se e di se pikërisht te ky rast është përzier politika me drejtësinë, sepse Serbia e di se Ramush Haradinaj është lider partiak, ish-kryeministër, dhe për më tepër është ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare dhe në ato instanca ka fituar pafajësinë. Pra, vetë arrestimi i Ramushit është politik dhe ndërhyrje e politikës në drejtësi. Është çështje tjetër se përse është arrestuar pikërisht në këtë kohë, e jo më parë edhe pse kishte qenë në Francë. Gjithsesi, tashmë institucionet e Kosovës, e kanë në dorë arsyetimin e gatshëm që vetë Vulin ua ka dhënë: mospërzierjen e drejtësisë me politikën. Dhe kjo do të duhej të përdorej edhe në diplomaci dhe në tërë estabilishmentin shtetëror të Kosovës. Tashmë nuk mund të thotë Beogradi se shqiptarët po u hakmerren serbëve, se serbët nuk janë të sigurt dhe marrëzira të tilla, sepse nëse për shqiptarë ndrejtësia nuk po u përzika me politikën, nuk duhet të përzhet edhe për serbët.