Autoportret nga Fatmir Terziu

23.07.2020 23:07:05
AUTOPORTRET
E ndjej emrin tim brenda një letre
të ngjeshur në linjat e një emërtimi
deri në një lexim zyrtar pas çdo germe
idea dhe mesazhi i një mirëkuptimi.
Nuk ngas imagjinatën e strukur
dialogun e djersës si pikat e shiut,
brenda një libri jete të mbushur
nga fati i mirë e i bekuar i njeriut.
Për të njohur emrin tim në fjalor
depërtoj sytë e mi mbi çdo fjalë
e ndjej një ritëm dyfish në kraharor
kur gjej me kujdes germën e parë.
Rreth kësaj germe sillen sinonime
emërtojnë ngjashëm si në korr
emra, mbiemërzime, plot ngjasime,
sytë e mi i seleksionojnë si me dorë.
E kur sytë ngecin në një pikë
gishti tregues zë e bën pakt
është emri im e them pa frikë,
“fat” edhe “i mirë” bëhen bashkë.
Kështu them se gjej veten time
në këtë libër të madh të jetës,
dhe pse mbeti në Gjendjen Civile,
i zgjedhur për hir të së vërtetës.
E di këtë fakt nga gjyshi im,
kishte dashur një emër të mbarë
nipit ia vura emrin “Fatmir”
të gjithë i kishte lënë pa fjalë.
Kur emri im tingëllon bukur
me kuptim në Gjuhën Shqipe
unë ndjehem më i lumtur,
që i përket kështu vetes sime.
Mirë ndjehet sigurisht familja ime
ndoshta kaq thjesht si emër i mbarë
edhe me këtë poezi për ditëlindje
Fatmir s’mbetet në vetën e parë.