AUV: Të mos preket bagëtia e ngordhur, situata do të normalizohet për 2-3 ditë

17.08.2016 21:57:52

“Agjencia për ushqim dhe veterinari që nga dita e parë me ekipet e saj gjendet në terren, ndërsa situata do të normalizohet në 2-3 ditët e ardhshme” ka deklaruar për Kanal5, Gjorgji Gjorçevski, inspektor në AUV.

Është duke u zvogëluar numri i kafshëve të ngordhura ndërsa Gjorçevski apelon që menjëherë të paraqiten kafshët e ngordhura.

“Ka disa ditë që apelojmë përmes mediave edhe përmes rekomandimeve në ueb faqen e Agjencisë që nëse vërehen kafshë të ngordhura menjëherë të lajmërohet AUV. Qytetarët të mos i prekin kafshët e ngordhura. AUV në bashkëpunim me ndërmarrjet komunale dhe Qytetin e Shkupit kryen mënjanim të padëmshëm të bagëtisë së ngordhur dhe bartjen e tyre në deponinë Drisla ku kryhet groposja, shkatërrimi apo dezinfektimi”, ka thënë ai.

Gjorçeski po ashtu ka apeluar që ushqimin i cili është prekur nga vërshimet të mos u jepet kafshëve sepse mund të çrregullohet shëndeti i kafshëve që kanë mbijetuar.