Avdullah Hoti flet sërish nga Uashingtoni: Me Serbinë takohemi vetëm për njohje reciproke

01.09.2020 22:04:52

Kryeministri Avdullah Hoti në një intervistë nga Washingtoni ka thënë se me Serbinë takohen vetëm për njohje reciproke.

Ai ripërsëriti se njohja reciproke është formula e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ani pse presidenti i kësaj të fundit Aleksander Vuçiq paralajmëroi se nëse në takimin paraprak bilateral vihet në tavolinë çështja e njohjes së Pavarësisë së Kosovës takimi i 4 shtatorit nuk do të ndodhë fare.

“Me Serbinë ne takohemi vetëm për njohje reciproke, nuk takohemi për gjëra të tjera. Me këshillën e miqve tanë ndërkombëtarë, në këtë rast SHBA-ve, po ulemi për të dakorduar një agjendë të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve dhe përtej dy vendeve, por gjithçka është në funksion të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve që nënkupton njohje reciproke”.

“Nuk ka formulë tjetër. Këtë e kemi bërë të qartë që nga dita e parë në qeverisje, në Samitin e Parisit, në komunikimin që e kemi pasë me qendrat kryesore në BE, por edhe në SHBA, sepse njohja reciproke është zgjidhja e vetme për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Unë besoj që tani këtë lloj qasje e kanë të qartë plotësisht edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, shtoi kryeministri.