Avdullah Hoti: Kosova nuk duhet të korrigjojë kufijtë, pot lidershipin e vetë

01.03.2019 13:12:58

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka thënë se në këto 11 vjet shtet, Kosova nuk ka qenë në pozitë më të keqe.

Hoti thotë është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor, SHBA-së, transmeton lajmi.net.

Fjalimi i plotë i Hotit para mediave:

Kosova nuk duhet të korrigjojë kufijtë, pot lidershipin e vetë

Në 11 vjet shtet, asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozitë më të dobët. Kosova po përjeton degradim institucional për shkak të lidershipit shtetëror që është jo lojal ndaj shtetit të Kosovës. Sot është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor, SHBA-së, ndaj shtetit të Kosovë. Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të shtetit më pro amerikan dhe pro evropian, i ndalohet udhëtimi në SHBA. Anulohet 10 programe në qendrën Marshall.

Në anën tjetër, Presidenti lobon fuqishëm korrigjim të kufijve. Sikur Presidenti të lobonte kaq fuqishëm për njohje të reja, nuk do të kishim tërheqje të njohjeve. Dialogu është në rrugë pa krye. Ekipi dialogues është jo kushtetues. Ky format i ekipit na ka kthyer në kohën e institucioneve të përkohshme.

Taksa po përdoret si strehë për plaçkë të buxhetit nga koalicioni PAN. Mbi 8 milion euro janë ndarë nga rezerva gjatë vitit 2018. Qeveria është shndërruar në mekanizëm vendimarrës për të realizuar interesa biznesore, siç ishte rasti me vendimet për: (i) uljen e akcizës në duhan, (ii) lirim nga taksat të prodhuesve të ujit, (iii) shpallja si investitor strategjik një kompani e shkatërron lumbardhin e Pejës etj. Institucionet dhe ndërmarrjet publike janë bërë strehë punësimi për militantë dhe familjarë të partnerëve të koalicionit PAN.

Kryetari i PDK-së duhet të marrë përgjegjësinë për këto dështime, sepse po e quan veten shef të koalicionit PAN. Kosova duhet të lirohet nga ky lidership sa më parë. Dhe zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme. Vetëm një qeveri e re, me legjitimitet të fuqishëm qytetarë, mund të udhëheq Kosovë drejt integrimit euro-atlantik. Vetëm një qeveri e tillë mund të marrë përsipër dialogun me Serbinë.

Kosova duhet të dialogojë. Kosova ka dialoguar në Rambuje dhe në Vjenë pa frikë, sepse i ka besuar lidershipit të vetë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Por, sot ekziston frika tek qytetarët nga procesi i dialogut. Jo frikë nga partnerët ndërkombëtarë, sepse ata e kanë bërë të qartë se Kosova vendos vetë se çfarë marrëveshje do të nënshkruajë. Por, frika e qytetarëve vjen nga mungesa e besimit në lidershipin e Kosovës, në veçanti në Presidentin dhe ekipin dialogues.

Po e përsëris edhe një herë qëndrimin e LDK-së lidhur me dialogun. Platformë për dialog është vetëm Kushtetuta e Kosovës. Ekip dialogues është Qeveria legjitime, që e udhëheq dialogun bazuar në një platformë orientuese, që miratohet në Kuvendin e Kosovës vetëm me 2/3 e votave.

Le ta ketë të qartë Presidenti, dhe të gjithë lobuesit rreth tij brenda dhe jashtë vendit, se korigjim të kufijve nuk do të ketë. Qytetarët e Kosovës do të korrigjojnë lidershipin e tyre. Në zgjedhje të lira, qytetarët e Kosovës do të zgjedhin një lidership lojal ndaj tyre dhe Republikës së Kosovës.