Avdullah Hoti: Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe UÇK-së ishte e drejtë

24.06.2020 21:37:56

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka reaguar pas aktakuzave të Speciales ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.

Postimi i plotë: 

Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi.

Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit.