Avni Mazreku: Jam kundër ekzistencës së Ministrisë së Integrimeve

09.09.2016 16:00:26

Ministri i deritanishëm Bekim Çollaku ka njoftuar sot për dorëheqjen e tij nga posti i shefit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Këtë gjë Çollaku e ka bërë të ditur përmes një konference për media. Kurse kërkesën për lirim nga detyra e ka pranuar edhe vetë kryeministri i vendit Isa Mustafa.

Gjithashtu Çollaku gjatë kësaj konference ka theksuar se është i zhgënjyer nga BE-ja dhe se vonesat e tyre për liberalizimin e vizave kanë qenë të pa arsyeshme. Kurse ai nuk ka lënë pa theksuar se u bëhet thirrje BE-së që Kosovën ta trajtojë me prioritet dhe përgjegjësi të lartë siç ka bërë me shtetet e tjera.

Njohës i çështjes së Integrimeve Evropiane Avni Mazreku ka thënë për Indeksonline se e drejta e dorëheqjes është çështje individuale e secilit në cilindo nivel të përgjegjësisë publike që ata persona gjenden, po ashtu është edhe çështja se si këta njerëz e shohin zhvillimin e karrierës së tyre politike apo profesionale.

“Sa i përket aspekteve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave por edhe të anëtarësimit të Kosovës në BE, këto procese nuk duhet të shihen si çështje e individit në cilindo nivel qeverisës që janë ata, por si çështje e vullnetit politik për t’i ndërmarrë të gjitha ato reforma që kërkohen në këto procese.Prandaj unë nuk pajtohem as me tendencën e përvetësimit të “meritave” siç jo rrallë ndodhë në Kosovë (edhe pse ka shumë pak me të cilën këta njerëz mund të mburren sa u përket këtyre proceseve) por as individualizimin e përgjegjësisë sa u përket këtyre proceseve”, ka thënë Mazreku.

Ai gjithashtu nuk ka lënë pa theksuar faktin se personalisht është kundër ekzistencës së Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

“Unë personalisht kam qenë dhe jam kundër ekzistencën së Ministrisë së Integrimeve Evropiane sepse kjo është vetëm mbingarkesë së buxhetit të shtetit dhe nuk ka asnjë lloj roli ekzekutiv në këtë drejtim dhe se është krejtësisht e pa-nevojshme ekzistenca e saj kur dihet se procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE është çështje multi-sektoriale e jo çështje e një ministrie specifike”, ka shtuar Mazreku.

Sipas tij krijimi i kaq shumë ministrive është në raport të zhdrejtë plotësisht me atë çka i kërkohet Kosovë në këto procese. “Ndërsa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe aspekteve teknokratike të saj, kjo më tepër është çështje e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Mazreku.

Ndërsa i pyetur rreth asaj se çfarë mendon se do të ndodhtë saktësisht tash e tutje me këtë ministri Mazreku ka theksuar se sipas tij ministri i deritanishëm do të zëvendësohet.

“Unë mendoj se ministri i deritanishëm Çollaku do të zëvendësohet me një person tjetër edhe pse unë do të dëshiroja që kjo ministri të shuhet plotësisht”, ka theksuar Mazreku.

Gjithashtu njohësi i integrimeve evropiane Mazreku nuk ka lënë pa komentuar edhe faktin se ministri Çollaku është shprehur sot i dëshpëruar nga Bashkimi Evropian për vonesën e liberalizimit të vizave, ku sipas tij ministri do të duhej të shtronte së pari një vet-kritik sa i përket kapaciteteve të Kosovës për tu përballur me këto procese.

“Ministri para se t’i drejtohet BE-së do të duhej të shtronte një vet-kritik sa i përket kapaciteteve të Kosovës për tu përballur me këto procese, edhe pse unë pajtohem se BE në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka vendosur kushte të panjohura deri më tani, por kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së kapaciteteve absorbuese të BE-së dhe mungesës së një politike konsistente nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës”, ka thënë Mazreku.

Mazreku ka theksuar se kjo ministri nuk ka punuar sa duhet në arritjen e këtyre pesë njohjeve të munguara për Kosovën (Qipro, Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia).

“Është pretendim imagjinar dhe gënjeshtër e madhe t’i servohet popullit të Kosovës se kinse Kosova ka raporte normale si çdo shtet tjetër me BE-në përderisa mungojnë këto pesë njohje dhe kur dihet roli i shteteve anëtare në procesin e vendimmarrjes në BE”, ka përfunduar Mazreku.