Avokati tregon detaje të reja rreth ndalimit të Milaim Zekës

21.10.2017 14:23:10

Policia e Kosovës para disa dite arrestoi deputetin e Nismës për Kosovën, Milaim Zekën nën dyshimin që kishte kryer vepër penale me “mashtrim” dhe “shmangie nga tatimi”.

Lidhur me këtë, prokuroria e shtetit e ndaloi fillimisht Zekën për 48 orë.

Përkundër asaj se prokuroria kërkonte 30 ditë para burgim për të dyshuarin, ndryshe vendosi gjykata që i shqiptoi masë më të lehtë duke e lënë deputetin, një muaj në arrest shtëpiak.

Po ashtu në këtë masë që ka shqiptuar gjykata, Milaim Zekës i është konfiskuar pasaporta si dhe ju është ndaluar të flas për media.

 

Ndërsa avokati mbrojtës i Zekës, Gazmend Halilaj ka treguar për ‘Indeksonline’ se kanë bërë ankesë tek Apeli për heqjen e masës së ndalimit.

Sipas Halilajt, deputeti i Nismës duhet të lirohet në procedurë të rregullt.

“Jemi duke prit çdo moment nga Gjykata e Apelit me kthy gjendjen lidhur me ankesën që kemi bërë kundëraktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Po, pikërisht ankesën e kemi bërë për të ja hequr çdo masë të cilit do të thotë që parashihet siguria e personit. Pra çdo mas nga neni 173 i KPPk-së kemi bërë kërkesën për heqjen e kësaj mase por as për caktmin e ndonjë mase tjetër nga ky nen por klienti të lirohet në procedurë të plotë të rregullt, por ne jemi në pritje të gjykatës”, ka thënë Halilaj.

Ai thotë se kjo ligjërisht është dashur tash të shqyrtohet pasi sipas tij, një situatë e tillë është urgjente.

Kujtojmë se Milaim Zeka është i dyshuar pasi bashkë me partnerin e tij, Ilir Krasniqin kishte provuar që 921 kosovarë t’i emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmes një agjencie punësimi.

Për këtë aplikantët kishin paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune.