Avokatja Kosovare Kelmendi: Nuk e dinim përmbajtjen e urdhrit të gjykatës për Sekiraqën

24.10.2017 15:55:16

Kosovare Kelmendi, avokatja e Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, tha sot se i mbrojturi i saj pjesërisht e ka shkelur urdhrin e paraburgimit dhe kjo qëndron.

“Unë dua të ju lus të keni durimin të dëgjoni se si ka ardhur deri te kjo shkelje pa dashur që ta justifikoj atë”, tha ajo në seancën kur po shqyrtohet caktimi i masës së sigurisë.

“Më datë 19 tetor pas orës 17:00 unë sii mbrojtje e Sekiraqës kam pranuar një telefonatë nga një zyrtar i EULEX-it, i cili përmes telefonit më ka komunikuar urdhrin e Gjykatës”, tha ajo.

Sipas avokates, zyrtari i EULEX-it i ka thënë: “”Klientit tuaj i është zëvendësuar paraburgimi me arrest shtëpiak. Urdhrin e kemi nisur në burgun e Dyzit ndërsa juve avokate urdhrin do t’ua dorëzojmë nesër”.

“Unë menjëherë e kam telefonuar vëllain e tij dhe të njëjtit ia kam përcjellë njoftimin siç më është thënë në telefon dhe ky lajm mori dhenë nga familjarët e të akuzuarit duke mos qenë në dijeni as unë e as familja për urdhrin e Gjykatës, respektivisht për kufizimin plotësues së bashku me arrestin shtëpiak”.