Azemi: Edhe nëse paga minimale bëhet 700 euro, është vonë – të rinjtë e kanë ndarë

17.04.2019 21:15:48
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se ngritja e pagës minimale në Kosovë nuk ngjallë shpresë të punëtorët e sektorit privat.

Azemi, në “Dossier D” ka thënë se ngritja e pagës minimale në sektorin privat tashmë është veprim i vonuar dhe vështirë se mund të ketë efekt.

“Vërtet edhe nëse sot punëtorëve të sektorit privat u ofrojmë pagë 700 ose 1,000 euro është e kotë sepse në mendjen e punëtorëve të sektorit privat ka hyrë rrugëtimi për të ikur jashtë, sepse ka humbur shpresa dhe dinjiteti i këtyre punëtorëve”.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, ka thënë se institucionet shtetërore nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje pavarësisht vërejtjeve që sindikata u ka tërhequr.

“Defakto kjo më nuk do të jetë pagë minimale por pagë e pleqve sepse tanimë shumica e të rinjve kanë ikur ose po ikin dhe Kosova tashmë po zbrazet”, tha ai.

Azemi ka thënë se thirrjet e zyrtarëve institucional për mos ikjen e të rinjve janë të kota, pasi edhe vetë tre bartësit e institucioneve kanë qenë në perëndim për jetë më të mirë.

“Pagat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë janë më të ulëtat në rajon, ndërsa kemi pagat më të larta të krerëve shtetëror. Kjo është një diskrepancë e madhe”.

Ai ka thënë se është shumë e dhimbshme që Kosova para dhjetë viteve ka pasur natalitetin më të madh në rajon, ndërsa tash e kemi natalitetin më të ulët në rajon.

“Këtë e ka bërë vet shteti ynë, që as pesimisti më i madh nuk do ta kishte menduar”, deklaroi ndër të tjera Jusuf Azemi.