Babai i Liridonit thotë se djalin ia ka rrëmbyer një afgan

17.08.2016 09:31:54

Nga një “miqësi” e pazakontë e nisur në kampet e emigrantëve në Gjermani, në mes të Liridon Kallabës, atë kohë 12 vjeç dhe afganit Hanzavir Zadran mbi të 30-at, e ka pësuar më së keqi djaloshi 15-vjeçar nga Dobërçani. Ai prej dy javësh rezulton i zhdukur. Familja thotë se djali i mitur iu rrëmbye nga një afgan

Ia premtoi parajsën, ndërsa i dha ferrin. Më 4 gusht të këtij viti, Ibrahim Kallabës, afgani i njohur me emrin Hanvazir Zadran i ka rrëmbyer djalin e mitur, Liridonin 15 vjeç, në fshatin Dobërçan, shkruan “Zëri”.

Që nga ajo ditë, Ibrahimi nuk e ka parë djalin e tij. Kontaktin e vetëm me djalin Liridonin e ka pasur pas 4 ditëve nga dita kur ishte zhdukur më 8 gusht.

Në një bisedë të shkurtër telefonike, Liridoni i ka thënë babait të tij se është shëndosh e mirë dhe i kapur nga autoritetet hungareze prej ku pritet të lirohet pas një dite. Mirëpo, kanë kaluar edhe dy javë të tjera, dhe Ibrahimi nuk ka dëgjuar më asgjë prej djalit të tij, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndërkohë emri i Liridonit figuron edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë se ka kaluar me datën 5 gusht 2016.

Ndërsa, të vetmen bisedë që Ibrahimi e ka pasur me afganin, Zadran, para pak kohësh, ky i fundit i ka thënë se nuk është parë prej tre ditësh me Liridonin dhe nuk di asgjë për fatin e tij.

Tani Ibrahimi dyshon pikërisht se fajtor për humbjen e djalit të tij është afgani Hanvazir Zadran për të cilin thotë se ia ka rrëmbyer djalin e mitur pa pëlqimin e tij.