Bahtiri ua dorëzon Presidencës e Kuvendit nënshkrimet për bashkimin e Mitrovicës

16.01.2019 11:08:23

Agim Bahtiri ka marrë rrugën drejt institucioneve të vendit që të dorëzojë peticionin me 16,594 nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka marrë rrugën drejt institucioneve të vendit që të dorëzojë peticionin me 16,594 nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës, raporton Gazeta Express.

Peticionin për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri ka thënë se së pari do të ia dorëzojë Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e Kryeparlamentarit Kadri Veseli, derisa më pas të njëjtin do ta dorëzojë edhe te kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Bahtiri po kërkon nga institucionet përkatëse që të miratojnë këtë nismë të ndërmarrë nga vetë qytetarët e Mitrovicës.

Ndryshe, iniciativa për nënshkrimin e këtij peticioni ka ardhur pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe vendimin e Kuvendit të Mitrovicës për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

I pari që kishte nënshkruar peticionin ishte Agim Bahtiri e pas tij edhe zyrtarët tjerë komunalë. I pari i Mitrovicës kishte thënë se bashkimi i qytetit nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.