Bajram Gecaj: Përgjigje të gjithë atyre që po na thonë – A ju kemi thënë?

11.05.2017 10:56:45

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj u është përgjigjur atyre që kanë filluar ta kritikojnë LDK-në për koalicionin me PDK-në.

Në një postim në facebook. z. Gecaj ka paraqitur tri alternativat para të cilave gjendej LDK pas zgjedhjeve të vitit 2014: 1 LAN/LVAN që dështoi për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kokëfortësisë së AAK-së; 2. Qëndrimi në opozitë dhe që vendi të qeverisjes nga një koalicion i krimit dhe të korrupsionit, dhe; 3. që të bëhej koalicion me PDK-në me marrjen e drejtimit të qeverisjes së vendit.

“1. Si LDK provuam me gjithë forcën dhe energjinë tonë koalicionin LAN (LVAN) për më shumë se gjashtë muaj, por më së paku për fajin tonë kjo iniciativë dështoi. Qëllimi ishte ndryshimi dhe largimi i krimit e korrupsionit të instaluar thellë në institucionet shtetërore. Ishte Gjykata Kushtetuese dhe kokëfortësia e AAK-së që e prishën “lojën”, jo ne! Po të mbeteshim në atë konstelacion do të shndërroheshim veç në sejmenë të AAK-së;

2. Të rrinim në opozitë dhe të vazhdonte ndryshkja e partisë, keqqeverisja e institucionalizuar, por edhe që shteti të udhëhiqej nga koalicioni i krimit dhe korrupsionit;

3. Të udhëheqim qeverinë për herë të parë dhe të tregojmë se në këtë vend mund të qeveriset mirë dhe me duar të pastra, edhe pse vazhdimisht të vetëdijshëm me kënd po e bëjmë këtë dhe përherë të rrezikuar nga thika prapa shpinës.

Besoj se, edhe po të ktheheshin gjërat prapa, nuk do të kishim zgjidhje më të mirë. Megjithëse, këtë herë, vërtetë tradhtia e PDK-së tejkaloi të gjithë kufijtë e dinjitetit dhe ndershmërisë. Tani e kishim madje edhe të shkruar në letër (me arsye) marrëveshjen se nuk do të përkrahen iniciativat e votëbesimit ndaj njeri tjetrit. Marrëveshjet politike në përgjithësi lidhen në mirëbesim (bona fide), por PDK nuk ka gjë të mirë dhe është plotësisht e amputuar nga besimi!” – thuhet në postimin e Bajram Gecajt.