Bajram Gecaj: Refugjati Mariq një kukull e Serbisë që nuk guxoi të merrte ndonjë vendim në të mirë të serbve të Kosovës

26.12.2016 17:07:17

Bajram Gecaj, zëvendësministër i MAPL-së, ministër i të cilit ishte Mariq,  ka reaguar ndaj provokimit të këtij të fundit ndaj kryeministrit Mustafa. Në reagimin e tij, z. Gecaj ka kujtuar se Mariq është refugjat nga Knini, dhe vetëm për shkak të rrethanave të komplikuara e të ndjeshme politike ka arritur të bëhet ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, por nuk arriti të merrte kurrë ndonjë vendim në të mirë të serbëve të Kosovës.

Ky është i plotë reagimi i z. Gecaj:

“MARIQ KURRË NUK E KUPTOI “TAKATIN” E TIJ

Ljubo Mariq paska nxjerrë dyshimet e tija (personale) në aftësitë politike të Kryeministrit Mustafa. Për shkak të rrethanave të komplikuara e të ndjeshme politike, refugjatit nga Knini i buzëqeshi fati të bëhej mnistër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Por fatkeqësia e tij ishte se ai kurrë nuk ja arriti të dalë nga karakteri dhe lëkura e tij e një loajali të nënshtruar. Ky, i cili tani dyshon në aftësitë e Kryeministrit, ishte vetëm se një kukull e cila nuk kishte as unin e as vullnetin e tij, dhe asnjëher nuk pati guximin të merrte bash asnjë vendim të rëndësishëm për popullin Serb të Kosovës. Serbët e Kosovës nuk kanë nevojë të përfaqësohen nga ata të cilët kanë braktisur vendin e vet, por nga politikanë vendorë të cilët përfaqësojne vetëm interesin e Serbëve Kosovarë, e jo atë të Gjuriqit apo Vuçiqit. Ka shumë punë për këta që të merren me problemet e përditshme të komunitetit të tyre, pa u marrë me politikat e komplikuara ndërshtetërore Kosovë-Serbi. Kjo e fundit është një këshillë të cilën ua kam përsëritë në vazhdimësi.”