Bajrami, Ibishit: Voto kundër demarkacionit, pasi vetë e pranove që s’është në rregull

22.08.2016 22:50:29

Deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami i ka reaguar deputetit të LDK-së, Nuredin Ibishit, pas një interviste në Indeksonline ku ky i fundit kishte thënë se është në dijeni që demarkacioni me Malin e Zi nuk është në rregull, por do ta votonte.

“Të njejtën gjë që po e thotë kolegu deputet i LDK-së Nuredin Ibishi se “demarkacioni nuk është në rregull por do ta votoj” në takime të mbyllura në rrethet e tyre të ngushta e pranojnë edhe Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Mirëpo të dy edhe Thaçi edhe Mustafa, ngulin këmbë në miratimin e demarkacionit sepse janë të zhytur në krim dhe korrupsion. Pra, ata kërkojnë që për të shpëtuar veten ta dëmtojnë Kosovën”.

Bajrami i është drejtuar deputetit Ibishi duke i thënë se duhet të votojë kundër Demarkacionit.

“Koleg deputet Nuredin, duke i treguar publiksht popullit se marrëveshja është e gabuar e ke bërë hapin e parë shumë të rëndësishëm, bëje edhe hapin e dytë dhe deklaro se nuk do ta votosh. Rreshtohu në anën e argumentit që edhe vetë e deklarove se demarkacioni nuk është në rregull! Dhe VOTO kundër”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e saj në Facebook.