Bajrami: Ministritë e reja, mundësi për t’i rehabilituar militantët partiakë (Video)

02.11.2017 22:18:21

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami,  njëherësh ish- ministre e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka thënë se Qeveria “Haradinaj” e ka rritur numrin e punëtorëve të administratës, pa pasur nevojë për një gjë të tillë.

Ajo në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se tash po ndodhë krejt e kundërta me punësime, në raport me Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.

“Ne kemi dy ministri shtesë. Ta zëmë Ministria për Zhvillim Rajonal, historikisht nga të gjitha qeveritë, është evituar për të mos u formuar, sepse mund të derivojë në institucione që do të ishin të dhimbshme. Derisa Ministria për Ndërmarrësi dhe Inovacion, nuk ka pasur nevojë të themelohet, për shkak se këtë punë e bënë Agjencioni për Promovim dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve”, ka shtuar Bajrami.

Ajo më tutje ka thënë se kemi konsideruar që janë komplet të panevojshme këto dikastere, duke shtuar se “këto ministri janë bërë për të rehabilituar militantë partiakë”.

Sipas tij, ka edhe një anomali tjetër, ku Ministrisë së Diasporës ju ka bashkëngjitë edhe ajo e Investimeve Strategjike.

“Krejt çka duhet është të zvogëlohet administrata publike, sepse është kosto e lartë, e po paguhet nga taksat e qytetarëve dhe bizneseve në vend”, ka shtuar Bajrami.