Bajrami: Studentë do të jenë përfaqësues të dinjitetshëm të Kosovës në Harvard

03.02.2017 15:37:19

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot një grup të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në garën prestigjioze “Harvard Model United Nations”.

Pjesëmarrja e studentëve në këtë garë, e cila mbahet në Boston të ShBA-ve, për herë të tretë këtë vit mbështetet financiarisht nga MAShT.

Ministri Bajrami, me këtë rast, theksoi se kjo ngjarje tradicionale e Universitetit të Harvardit mbledhë për çdo vit më shumë se 1500 studentë nga e gjithë bota dhe theksoi se kjo është një mundësi e shkëlqyeshme që studentët tanë të tregojnë shkathtësitë e veta në negociim, në simulim, në të kuptuarit e politikave ndërkombëtare.

“Për mua dhe për MAShT ka qenë një nder që kemi mundur t’i ndihmojmë këta studentë që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës dhe të tregojnë se rinia kosovare, studentët e Kosovës, me asgjë nuk janë prapa kolegëve të tyre, sepse kanë krijuar një traditë të përfaqësimit dinjitoz”, tha Ministri dhe u shpreh i sigurt se këta studentë do të jenë përfaqësues të dinjitetshëm të Kosovës.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina”, z. Haxhi Gashi dhe u.d. i dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini”, z. Bashkim Preteni, theksuan rëndësinë që këto dy universitete do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze dhe falënderuan ministrin Bajrami për mbështetjen.

Edhe studentja Albulena Uka theksoi rëndësinë që kanë mundësi të tilla për studentët, për punën dhe zhvillimin e tyre akademik.