‘Balena Blu’ edhe në Shkodër, prifti zbulon disa raste të reja

15.06.2017 17:41:52

Loja e rrezikshme ‘Balena Blu’, duket se ka qenë e përhapur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Pas rastit të Gjirokastrës, ku një adoleshente rrëfente sesi kishte rënë pre e administratorëve të lojës, raste të tjera janë zbuluar ditët e fundit.

Famulltati Dom Artur Jaku ka zbuluar tre raste të fëmijëve të përfshirë në lojën vdekjeprurëse “Balena Blu” gjatë kungimit të 70 fëmijëve në katedralen “Shën Stjefni” në Shkodër.

Dom Artur Jaku tregon edhe më në detaje se si një vajzë rreth 14 vjeçe kishte arritur një nivel të lartë të lojës duke prerë në thikë dorën e saj dhe duke bërë në dorë balenën.

 

Vajza, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur mësohet se ka qenë në nivelin e 27-të të lojës “Balena Blu”, ndërsa mendohet se edhe fëmijë të tjerë janë të përfshirë në lojë.

Ai i bëri thirrje prindërbe që të monitorojnë kohën që fëmijët e tyre të qëndrojnë në internet, pasi loja e rrezikshme “Balena Blu” i çon ata deri në vetëvrasje

“Ju lutem, edhe ju fëmijëve që jeni këtu, por sidomos prindërve, kontrolloni fëmijët. Nuk mjafton t’i blini fëmijës një telefon dhe ta lini të bëjë ç’të dojë. Nuk mund t’i blini një kompjuter e ta lini të bëjë ç’të dojë. Ju lutem bëni kujdes”, ka thënë Dom Jaku.